Në Kushtetuese dorëzohen dosje për kompensim të dëmeve të luftës

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit“, në Gjykatën Kushtetuese ka dorëzuar dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, respektivisht kërkesat, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Drejtori i Shoqatës për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta ka deklaruar se sot i kanë dorëzuar kontingjentin e radhës së dosjeve me qëllim që Kushtetuesja ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme, e cila nuk e ka njohur procedurën e revizionit.

“E kemi shpresën që Gjykata Kushtetuese në cilësinë e gardianit tani ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme….Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është negativ, i Supremes negativ nuk e lejojnë procedurën e revizionit ne kemi kërkuar procedurën e revizionit me iu hy lëndëve dhe me e shqyrtu ligjshmërinë e nxjerrjes së tyre dhe me konstatu se a janë në përputhshmëri me apo jo…Në të gjitha deri tani negative edhe kjo, kjo nuk do thotë që i refuzojnë por e kanë një shprehje papranueshmëri”, u shpreh Bejta.

Derisa ka deklaruar se kërkesa për kompensim bëhet për shtetin e Serbisë, Bejta tha se deri tani rreth 1 mijë e 200 dosje janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ku vlera e dëmit njerëzor dhe material shkon deri në 4 milionë euro.

Udhëheqësi i “Ngritja e Zërit” ka apeluar tek të gjitha subjektet politike që të merren seriozisht me trajtimin e kësaj çështje.

“Këto kërkesa i drejtohen qeverisës së Serbisë me bë kompensim sepse ajo ka përgjegjësi kolektive sepse lufta është udhëhequr nga gjeneralë të Ushtrisë dhe Policisë Serbe, andaj  ngritja e zërit është me konsistencë aktive dhe permanente të ushtrojë dhunën juridike deri në realizim në kuptimin e dëmshpërblimit të qytetarit i cili ka pësuar në luftën e fundit 1999…Deri tani janë 1 mijë e 200 qytetarë apo dosje kemi dosje që shkon shuma deri 3 milionë apo 4 milionë euro pasi që ka edhe deri më 6 të vrarë dhe kemi me ekonomi tërësisht të rrënuar. Bëjmë apel tek subjektet politike që janë në garë për ta marr timon e qeverisë që posa ta bëjnë Kuvendin t’i qasim evitimit të padrejtësive të cilat i kanë bërë pareshtur që nga viti 1999, pra të është përkushtimi për të drejtën e qytetarit të nëpërkëmbur për 20 vite”, tha ai.

Bejta po ashtu e shprehu nevojën që të ketë zyre të shoqatës  “Ngritja e Zërit” në çdo komunë, pasi që edhe kjo po shkakton telashe për familjet që kërkojnë dëmshpërblim .

Kujtojmë që Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” edhe më herët ka dorëzuar dosje në Gjykatën Kushtetuese përmes të cilave ka kërkuar kompensimin e dëmeve të luftës.