Në kundërshtim me rregulloren, Universiteti i Prishtinës ka kompensuar 13 persona për punë shtesë
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 13 anëtarë të komisioneve për punë shtesë janë kompensuar me 1,892 euro edhe pse këto komisione nuk konsiderohen komisione profesionale apo të rregullta.
Sipas rregullores për Kompensimin e Punës së Komisioneve të cilat themelohen në nivel të Universitetit të Prishtinës, kompensimi për punë shtesë dhe punë jashtë orarit nuk u takon rektorit, prorektorëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues, Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, dekanëve, prodekanëve, Sekretarëve të njësive akademike dhe drejtorëve të Administratës Qendrore.
Të njëjtëve u takon kompensimi vetëm kur angazhohen në komisione për punë të veçanta profesionale.
Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti nuk kishte marrë parasysh kufizimet e përcaktuara me rregulloren përkatëse, duke i konsideruar këto komisione si ndihmëse dhe profesionale.
Sipas Auditorit, kompensimet për pjesëmarrje në komisione të personelit të cilat janë në kundërshtim me rregulloren shkaktojnë pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit.
“Rektori duhet të sigurojë që nuk do të paguhen kompensime për pjesëmarrje në komisione, për personelin që sipas rregullores nuk u takon kompensimi dhe të rishikohet mundësia e kthimit të mjeteve”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Universitetin e Prishtinës në raportin e vitit 2020.
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është pajtuar me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit.