Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Në KQZ shqyrtohet mundësia për kthimin e metodës së vjetër të numërimit të votave

Pas problematikave që po hasen në numërimin e votave, në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), është shqyrtuar mundësia e rikthimit të metodës së vjetër.

Besnik Buzhala, nga Sekretariati i KQZ-së, tha se janë të gatshëm për planin B, apo thënë ndryshe rikthimin e metodës së vjetër. 

“Për metodën e vjetër është i gatshëm, nëse ndodh diçka të shkojmë me këtë mënyrë.” – tha ai, më 13.02.2025. 

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se do ta shohin nëse nesër, më 14.02.2025, nuk shkon procesi mirë, do të vazhdojnë me metodën e vjetër.

“Të shohim edhe nesër kur të aktivizohen Qendrat e tjera Komunale dhe nëse çdo gjë shkon mirë, atëherë fillojmë me këtë proces të tanishëm. Nëse jo, atëherë do t’i printojmë Formularët si në formën e vjetër.” – tha ai.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve, duke rikonfirmuar çdo votë, edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në Sistemin elektronik.

Në anën tjetër, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani tha që insiston dhe kërkon që nga sot të fillojë publikimi i rezultateve të kandidatëve.

“Është shqetësim jo vetëm i joni, por edhe më gjerë: edhe i opinionit publik, edhe qytetarëve, kandidatëve, subjekteve, që të dinë se ku ka përfunduar, në sa vota vullneti i tyre i shprehur në ditën e Zgjedhjeve.” – tha ai.

Sipas tij, nuk ka kohë më për të humbur dhe se sa më shumë që vonohet publikimi, më i madh është presioni dhe pakënaqësia.

Ai kërkoi që të kontaktohet menjëherë Operatori Ekonomik dhe këtë gjë ta bëjë siç e ka të shkruar në termat e referencës.

Ai kërkoi që të bëhet skanimi i Formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe i Formularëve të kandidatëve, që sipas tij do ta lehtësonin punën e KQZ-së dhe palëve që duan të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nga data 11.02.2025, nëpër Qendra Komunale të Numërimit, KQZ-ja ka nisur numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, megjithëse është raportuar se edhe në këtë fazë ka telashe teknike, në procesimin e të dhënave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.

KQZ njofton se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Sipas përditësimit të fundit, të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.