Në Kosovë veprojnë gjashtë biznese me kapital nga Rusia
Gjashtë biznese me kapital nga Rusia në fusha të ndryshme veprojnë në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.
Një biznes me kapital rus është i regjistruar në Kosovë që nga viti 2007 dhe merret me prodhimin e metaleve të çmuara, një tjetër i regjistruar nga viti 2008 vepron në fushën e prodhimit të artikujve të plastikës për ndërtimtari ndërsa një biznes për prodhimin e tekstileve të tjera është regjistruar në vitin 2021.
Për tri bizneset e tjera nuk ka të dhëna të ofruara nga ARBK-ja. Këto të trija në Kosovë janë regjistruar në vitin 2010, 2016 dhe 2018.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka miratuar saksionet e saj kundër Rusisë, pas pushtimit rus në Ukrainë.
Propozim-vendimi me të cilin Qeveria e Kosovës vendos sanksione janë në përputhje me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Në bazë të vendimit, sanksionet konsistojnë në:
2.1 Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuar
2.2 Ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar
2.3 Ndalim për individët dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuar
3.Emrat e individëve dhe entiteteve të sanksionuara janë ato të listuara në anekset e akteve rregullative të Këshillit të Bashkimit Evropian referuar në pikën 1. të këtij vendimi
4.Sanksionet do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër dhe varësisht nga rrethanat mund të përditësohen.