Në Kosovë strehohet gazetarja e pestë afgane, Nadia Gulabzada. FOTO: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK/Facebook.
Në Kosovë strehohet edhe një gazetare afgane
Sot në mëngjes në Kosovë ka mbërritur gazetarja e pestë afgane, Nadia Gulabzada.
Kështu ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Gulabzada u mirëpritë në aeroport nga bashkëkombësja e saj Amina Omid, tanimë e strehuar në Prishtinë prej një jave, Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci, dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës” – thuhet në njoftimin e AGK-së.
Po ashtu, AGK ka bërë të ditur se gazetarët afganë janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas, AGK-së, në kuadër të këtij programi, përveç strehimit gazetarëve afganë u sigurohet pagë mujore, shërbime shëndetësore, si dhe biletë kthimi kur rrethanat do të krijohen që të njëjtit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Më 30 janar të këtij viti AGK njoftoi se në Kosovë kanë arritur gazetarët Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad, të cilët do të strehohen në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.
Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.