Në Kosovë shënohet Dita Botërore e Autizmit: "Më jep mbështetjen, të gëzoj të drejtat e mia"
Me rastin e Ditës Botërore të Autizmit, Zyra e Kryeministrit më 02.04.2024 ka mbajtur konferencën “Më jep mbështetjen, të gëzoj të drejtat e mia”.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin prindër e fëmijë me probleme të autizmit si dhe përfaqësues nga Shoqata “Autizmi”, Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë (ANAK) dhe Shoqata “Autizmi Flet”.
Ata kanë diskutuar për gjendjen e përgjithshme të personave me autizëm në Kosovë si dhe kanë adresuar nevojat e këtyre fëmijëve.
Jeta Deva, përfaqësuese e ANAK tha se mungon ekipi multidisiplinar ku përfshihen psikologët klinik, logopedët e psikiatri, të cilët do ta bënin vlerësimin e fëmijëve me autizëm.
Ajo njoftoi se si ANAK janë duke punuar shumë gjatë në avokimin dhe krijimin e një modeli i cili do të kishte pasur mundësi të jetë publik, duke qenë i mbështetur edhe prej institucioneve shëndetësore dhe arsimit, për të krijuar një shërbim për të gjithë fëmijët- pa diskriminim.
“Avokimi jonë është që me pas secili fëmijë një vlerësim, plan të detalizuar të punës, që do të përfshinte urë-lidhjen me procesin e integrimit në shkollë edhe trajnimin e familjes mbi procedurat e punës se si me punu me fëmijët e tyre. Kjo lloj pako, që ne si ANAK e kemi si fokus do të ishte një zgjidhje e prekshme dhe do të lehtësonte procesin konkret të krejt sfidave që i prekin fëmijët” – ka thënë Deva.
Sipas saj, në mbi 90% të familjeve që kanë fëmijë me autizëm, vetëm njëri prind punon, për shkak se nënat merren më shumë me përkujdesjen ndaj këtyre fëmijëve.
Violeta Hyseni nga Shoqata Autizmi Flet tha se nga viti 2015 kjo shoqatë punon në përfaqësimin e denj të personave me autizëm.
Sipas Hysenit, realizimi i të drejtave për mbështetje në shërbime për persona me autizëm ende mbetet sfidues dhe fushë e panjohur për disa persona.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve që të krijojnë një platformë që do të ofronte shërbime të vazhdueshme për fëmijët me autizëm.
“Bëj thirrje te të gjitha institucionet të krijojnë një platformë që do të siguronte shërbime të vazhdueshme për zhvillimin e potencialeve për personat me autizëm duke i përgatitë ata për një jetë të pavarur” – ka theksuar Hyseni.
Zahide Rraci nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) nga Reparti i Logopedisë ka treguar se stafi i tyre është i përbërë prej 3 logopedëve.
Rreth numrit të stafit të logopedisë ka reaguar Besim Krasniqi, prind i një fëmiu me autizëm, i cili tha se ShSKUK-ja nuk është e përgatitur për fëmijët me autizëm, për shkak të numrit të vogël të logopedëve.
Tutje, Rraci deklaroi se falë hulumtimeve që janë duke u zhvilluar ata kanë arritur në një masë të mirë të vetëdijësimit të popullatës sa i përket autizmit.
Kurse, përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Luljeta Kabashi tha se ndër vite, si ministri kanë krijuar mundësi për përfshirje të fëmijëve.
Kabashi shtoi se janë orientuar në vlerësimin pedagogjik të këtyre fëmijëve, të cilët i orientojnë se në cilën shkollë kanë mundësi ta rrisin potencialin e tyre, në mënyrë që ata të orientohen aty ku duhet.
Kabashi ka përmendur se si Ministri e Arsimit në vitin 2022 – 2023, kanë buxhetuar 500 asistentë në shkolla, të cilin e konsideroi si numër i vogël në raport me numrin e fëmijëve që janë të regjistruar në sistemin e të dhënave që ka MASHTI për këta fëmijë.
“Kemi sistemin Menaxhimi i të dhënave dhe në atë sistem kemi vetëm 57 nxënës që janë të regjistruar me autizëm. Është mungesë e shkollave që nuk dërgojnë të dhëna të sakta (për numrin e këtyre fëmijëve)” – ka deklaruar Kabashi.
Pas kësaj konference, është mbajtur një marsh për shënimin e Ditës Botërore të Autizmit, i cili ka filluar nga sheshi “Skënderbeu” dhe ka përfunduar në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Në këtë marsh mori pjesë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe përindër së bashku me fëmijë e tyre me autizëm.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së tyre.
Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.
Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore. Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: vendosjen e 2 prillit si Dita Botërore e Autizmit; pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së; rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë; shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.
Autizmi është një çrregullim i zhvillimit i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim.