Fadil Curri, mësimdhënës i Gjuhës Shqipe

Në Kosovë mungon Kodi Etik i Mësimdhënësve

Mbi 22 mijë mësimdhënës nuk kanë një kod etik të përpiluar nga niveli qendror, pos atyre që janë të përgatitur nga niveli komunal, e që shpesh herë nuk janë mjaftë specifikë në detyrat dhe ‘kufijtë’ që ata duhet t’i kenë me nxënësit, përfshirë këtu edhe sjelljet e pahijshme që mund të jenë, si ngacmimi seksual që rastis të ndodh shpesh.

Por po ashtu ka edhe komuna që nuk kanë përpiluar Kod Etik për Mësimdhënës. Në njërën nga Kodet Etike të përpiluar nga një komunë, është e shkruar vetëm në një paragraf se ndalohet ngacmimi seksual, por nuk specifikohet më saktësisht se çfarë veprimi duhet të ndermirret nëse një gjë e tillë ndodh.

Raste të ngacmimeve seksuale në institucionet edukative nga mësimdhënësit janë shënuar ndër vite, e që shpesh herë, ato nuk kanë përfunduar me largimin nga puna të mësimdhënësve.

Javën e kaluar, KALLXO.com e transmetoi hulumtimin e një rasti të ngacmimit seksual të ndodhur në një shkollë të Malishevës nga një mësimdhënës ndaj një nxënëse, por nga ky rast mësimdhënësi, jo vetëm që nuk u ndëshkua fare dhe vazhdon ende të ushtroj profesionin si mësimdhënës.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit, thonë se Kodi Etik për Mësimdhënës është i nevojshëm dhe mendojnë ta përpilojnë gjatë vitit të ardhshëm.

“Ka arsye të shumta që të përpilohen kode etike të tilla, megjithatë mungesa e kodit etik nuk mund të shfrytëzohet nga asnjë rast si pretekst për shkelje të kësaj natyre, në fund të fundit, ngacmimi seksual është vepër penale dhe sanksionohet me legjislacioni që aplikohet përtej kodeve etike”, tha të premten e kaluar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci në një konferencë për media.

“Sigurisht do ta kemi parasysh nevojën për ta hartuar një Kod Etik. Mendoj që kjo punë mund të kryhet gjatë vitit të ardhshëm, sepse duhet të behet në bashkëpunim me shoqatat e mësimdhënësve, sindikatat e kështu me radhë”, shtoi ai.

Kodi Etik i Mësimdhënësve – barrë e komunave

Komuna e Mitrovicës dhe e Malishevës janë në mesin e komunave që nuk kanë një Kod Etik për Mësimdhënës.

Zyrtarët malishevas thonë se se nuk e kanë parë e arsyeshme ta kenë një Kod, pasi arsyetohen se ka ligje dhe udhëzime administrative që rregullojnë këto çështje.

“Kod Etik të përpiluar nga komuna nuk kemi, pasi është ligji dhe janë udhëzimet administrative që i rregullojnë këtë çështje. Komuna ka të miratuara dy rregullore, e para është Rregullorja e Punës për Arsimin e Mesëm të Ulët, e miratuar në vitin 2010 dhe Rregullorja për Arsimin e Mesëm të Lartë, e miratuar në vitin 2016, dhe natyrisht është edhe Udhëzimi Administrativ, 06/2014 për mirësjelljen dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme e të larta”, thuhet në një përgjigje të tyre për KALLXO.com.

Nga Komuna e Mitrovicës kanë thënë për KALLXO.com se në nivel komune, nuk kanë përpiluar ndonjëherë Kod Etik të Mësimdhënësve.

Porse, ka disa komuna që kanë bërë kode etike por edhe ato janë përgatitur tek në vitin 2020. Një rast i tillë është Komuna e Gjilanit.

“Komuna e Gjilanit ka përpiluar Kodin Etik për institucionet edukativo-arsimore. Rregullorja është aprovuar në Kuvend në vitin 2020”, thuhet në një përgjigjen e Drejtorisë për Arsim nga kjo komunë.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se shkollat e kësaj komune kanë Rregulloret e brendshme për mënyrën e funksionimit.

“Komuna e Prizrenit ka Kod Etik, i cili përfshinë të gjithë punonjësit e sektorit publik bazuar në Ligjin për Zyrtarë Publik 06/L-114 (ku përfshihen edhe mësimdhënësit), konform kësaj shkollat i kanë Rregulloret e tyre të brendshme, duke filluar nga rendi shtëpiak, detyrat dhe përgjegjësitë e mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve. Këto Rregullore miratohen nga shkollat në fillim të vitit shkollor dhe janë të publikuara nëpër shkolla”, kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga kjo komunë.

Edhe Komuna e Pejës është një nga komunat që nuk e ka të përpiluar një Kod Etik të veçantë për mësimdhënës, por e kanë integruar në një rregullore.

Me inicim nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë dhe me aprovim nga Kuvendi Komunal, është nxjerrë Rregullorja mbi të drejtat, detyrat, përgjegjësinë disiplinore dhe materiale, mungesa nga puna të punonjësve në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në Komunën e Pejës. Në vitin 2020 është iniciuar plotësim – ndryshimi i kësaj rregulloreje edhe me disa nene të cilat përfshijnë edhe kode të etikës së mësimdhënësve”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Ata kanë shtuar se rregullorja me plotësim – ndryshim, ka hyrë në fuqi më 29.01.2021.

Qehaja: Rregulloret për ngacmime seksuale, të mos fshihen në sirtar të drejtorit

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, njëherësh drejtues i organizatës për arsim “EdGuard”, thotë se ngacmimet seksuale në shkollë përveç që me ligj, duhet të sanksionohen edhe me rregullore të secilit institucion shkollor.

“Dhe atë jo të fshehur diku në sirtar të drejtorit, por e dukshme për të tërë komunitetin e shkollës”, thotë ai për KALLXO.com.

Sipas Qehajës, është jashtëzakonisht e rëndësishme që në çdo institucion shkollor, komuniteti të jetë i vetëdijesuar për denoncimin e ngacmimeve seksuale.

“Aktivitete vetëdijesuese duhet mbi të gjitha të synojnë vet nxënësit e të gjitha grup moshave duke i fuqizuar të njëjtit për identifikim, reagim dhe denoncim të menjëhershëm të ngacmimeve seksuale”, tha ai.

Ministria e Arsimit, e ka parë të arsyeshme që të përpiloj një Kod Etik për vlerësimin e nxënësve, por ndër vite nuk e ka pasur si prioritet përpilimin e Kodit Etik për Mësimdhënës.

Sa i përket rajonit, Shqipëria e ka të përpiluar Kodin Etik të Mësimdhënësve që nga vitit 2012.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-tetor në vendin tonë janë raportuar 46 raste të ngacmime seksuale. Ndërsa në vitin 2020 në gjithë vitin kishte pasur 48 raste të raportuara të ngacmimeve seksuale.