Në Kongresin Amerikan Daniel Serwer kërkon angazhimin e ShBA-së që BE t'i heq Kosovës vizat

Udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, Daniel Serwer, ka deklaruar se Kosovës po i mungon njohja universale.

Serwer ka kërkuar që ShBA-ja të angazhohet që Bashkimi Evropian t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Kosova e pavarur ende po e plotëson shtetësinë, por atyre u mungon njohja universale. Presioni për dialog, BE-ja mund të ndihmojë dhe këtu kërkohet përfshirje e madhe e SHBA-ve. Te këtë përfshirje për heqjen e vizave për Kosovën”, theksoi ai.

Serwer këto deklarata i dha në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan me temën “Ballkani: Rekomandimet politike për Administratën e ardhshme”.

Ai ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe këmbimi i ambasadorëve. Duhet të ketë marrëveshje që mundëson anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, theksoi Serwer.

Ndërkaq, Janusz Bugajski, anëtar i lartë nga “Fondacioni Jamestown”, tha se në kuadër të dialogut duhet të ketë njohje reciproke.

“Dialogu Kosovë Serbi duhet të krijojë një udhërrfyes për njohje reciproke të vendeve. Kjo është zgjidhja për anëtarësim dhe zhvillim. Marrëdheniet ekonomike nuk mund të normalizohen nëse marrëdheniet politike mbesin jonormale”, tha ai.

Seanca po drejtohet nga kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, i cili ka deklaruar se është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Engel: Është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës