
Foto: Erden Atiq/ Facebook
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut u mbajt seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut më 05.03.2025 u mbajt seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së.
Sipas kryetarit të kësaj Komune, Erden Atiq, ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm për të ruajtur kujtimin e sakrificës dhe për të vlerësuar rolin e UÇK-së në çlirimin e vendit.
“Trashëgimia e UÇK-së është një element i pazëvendësueshëm në ndërtimin e të ardhmes sonë dhe se vlerat e sakrificës, unitetit dhe lirisë do të vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat që do të vijnë. Ideali i luftës për liri do të mbetet gjithmonë i rrënjosur në ndërgjegjen e popullit të Kosovës”- thuhet në njoftim.
Në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies heroike të komandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri seancë solemne ka mbajtur edhe edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut.
Të pranishëm ishin pjesëtarë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë – Jugu, kryetari i BIK-ut në Mitrovicë, Ekrem Avdiu dhe pjesëtarë nga organizatat dhe shoqatat e dala nga lufta, si dhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, tha se Kosova nuk do të ekzistonte kështu siç është pa sakrificën dhe heroizmin e Familjes Jashari.
“Angazhimi i tyre për lirinë nuk ishte thjesht një vendim, por një thirrje për rezistencë. UÇK ishte përgjigjja e popullit tonë kundër persekutimit të vazhdueshëm. Nderimin më të madh që mund të bëjmë për ata të cilët dhanë jetën është të punojmë shumë për qytetarët tanë. Duhet ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.” – tha Hamza.
5, 6, dhe 7 marsi shënojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe disa zona të Drenicës ishin rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.
Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj Familjes Jashari, ndërsa sulmin e dytë forcat serbe e kryen në muajin janar 1998.
Më 22.01.1998, forcat serbe e sulmuan Familjen Jashari, por edhe kësaj beteje fëmijët dhe gratë e Familjes Jashari i kanë rezistuar.
Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Këtij sulmi i ka mbijetuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.