Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, 10 mars 2022. Foto: KALLXO.com

Në Komisionin për Çështje të Sigurisë diskutohet për zbatueshmërinë e Ligjit për Armët

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes po mban mbledhje në të cilën po raportojnë drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti, dhe drejtori i Hetimeve të Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti ka thënë se në vitin e kaluar kanë përgatitur ndryshimet për Ligjin për kompanitë private të sigurisë dhe se janë duke punuar në Strategjinë për terrorizmin dhe ekstremizmin dhe në Strategjinë për armët e lehta.

“Kemi përgatitur planin e integrimit për personat e radikalizuar dhe jemi në përgatitje për një ndryshim strukturor për ngritjen e kapaciteteve për ngritjen e koordinatorit për terrorizëm”, tha ai.

Kurse, Bekë Berisha, kryetar i Komisionit nga radhët e AAK-së, kërkoi përgjigje nga Hoti për zbatueshmërinë e Ligjit për Armët.

“Sa po mundeni ta zbatoni Ligjin për armët, a keni pengesa, ka skandale. A mundesh të na shpjegosh  a është i zbatueshëm Ligji për armët, te lejet e armëve a duket se ka burokraci, dhe armët pa leje cila është procedura?”, tha ai.

Në anën tjetër, Mensur Hoti, drejtori i Departamentit për Siguri Publike tha se janë të kënaqur me zbatimin e këtij ligji. Ai njoftoi se kanë pasur 1,000 kërkesa për legalizim të armëve.

“E kemi përfunduar koncept dokumentin e ligjit të ri, përmbajtja voluminoze shihet pengesë, por kjo nuk e pengon zbatimin e këtij ligji. Gjatë punës në draftimin e ligjit të ri ne do te obligohemi të shtojmë edhe ndryshime te tjera. Ne jemi të kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët. Ne kemi pasur një proces të legalizimit, kemi pasur 1,000 kërkesa për legalizim të armës, është mundësia në dorën e qeverisë që të shpallë dorëzimin vullnetar, edhe nuk është situata për të kërkuar nga qeveria për një shpallje të tillë”, tha ai.