Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media, 29.11.2024 | Foto: ZKM

Në kohën që Gjykata e obligoi të japë dëshminë, njoftohet se Kurti do të vërë gurin e themelit të një çerdheje në Gjilan

Në të njëjtën orë që Gjykata e Prishtinës e ka obliguar të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë për të dhënë dëshmi lidhur me rezervat shtetërore , është paralajmëruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vendosë gurthemelin e një çerdheje në Gjilan. 

Bëhet fjalë për orën e datën e njëjtë, më 04.03.2025, në orën 10:00.

Ende nuk dihet se në cilën prej tyre do të paraqitet kryeministri Kurti, ndonëse pjesëmarrja e tij në Gjilan të martën është parlajmëruar zyrtarisht, e për dhënien e dëshmisë, i pari i qeverisë kishte ftuar prokurorët t’i shkonin në zyrën e tij duke thënë se vetë ai nuk do të paraqitej në objektin e Prokurorisë Speciale. 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHTI) në orën 14:13 të datës 03.03.2025, njoftoi përmes një komunikate për media, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurthemelin e çerdhes së re në Gjilan në lagjen “Livadhet e Arapit”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur për KALLXO.com më 28.02.2025, se ka obliguar Kurtin që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit me po këtë datë, lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me Urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 21.02.2025, ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”- shkruan në përgjigjen e Gjykatës.

Kurti është urdhëruar që dëshminë ta jap më këtë datë pas vendimit të Gjykatës të datës 21.02.2025, e cila e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë që ta urdhërojë kryeministrin e vendit që të paraqitet para objekti të PSRK-së.

Këtë vendim e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kutaj.

Pas këtij vendimi kishte reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka sqaruar se raportimet e datës 28.02.2025 për urdhër të Gjykatës ndaj kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar nuk janë të bazuara në ndonjë përgjigje të re por në një njoftim të Gjykatës të datës 21.02.2025. 

Sipas Kryeziut, Zyra e Kryeministrit atij njoftimi i është përgjigjur më 28.02.2025. Ndërsa po më 28 shkurt, Zyra e Kryeministrit i është drejtuar Gjykatës Themelore pikërisht si përgjigje ndaj njoftimit të saj të datës 21 shkurt 2025. 

“Për këtë ne ende po presim përgjigje nga Gjykata. Pra, raportimet e orës të fundit se Gjykata Themelore urdhëron kryeministrin Kurti të paraqitet si dëshmitar, nuk janë përgjigje ndaj letrës sonë që e kemi publikuar sot, por bazohen në Njoftimin e Gjykatës së datës 21.02.2025, të cilit Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur sot, 28.02.2025”- ka thënë Kryeziu.

Se a kanë pranuar ende përgjigje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeveri, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndonëse ishte thirrur për të dëshmuar tri herë nga Prokuroria, por kishin rezultuar pa sukses për organin e akuzës, pa një zgjidhje për ta bindur kryeministrin Kurti për të dhënë dëshmi për rastin e rezervave shtetërore në objektet e Prokurorisë Speciale, prokuroria i ishte drejtuar gjykatës.

Prokuroria kishte kërkuar nga gjykata që të nxjerrë vendim për urdhërimin e dëshmitarit, Albin Kurti, që të paraqitet në objektet e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshmi lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Por, më 28.02.2025, Zyra e Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me një kërkesë.

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit është që Gjykata ta obligojë Prokurorinë që të shkojë në Kryeministri dhe ta intervistojë atë.

Rasti i rezervave shtetërore

Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.

Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit.

Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.