Në kohën kur në Kosovë vjen ‘Omicron’, ministri Rifat Latifi udhëton në ShBA

Me të marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u fol si shembulli që la karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tu rikthyer në Kosovë si ministër i shëndetësisë.

Mirëpo, lidhjet e tij me ShBA-të duket se janë ende të “pashkëputura”.

Të premten specialisti i kirurgjisë, ka marrë rrugën për në Amerikë.

Nga kabineti i tij thonë se që nga koha kur ka marrë mandatin si ministër është hera e parë që udhëton për në ShBA.

Këshilltari politik në Ministrin e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku, thotë se Latifi ka udhëtuar edhe për çështje të punës mirëpo do të vizitoj edhe familjen.

“Ka edhe takime pune, por ka me vizitu edhe familjen atje, gjatë kësaj kohe ka organizuar termine edhe për takime pune”, deklaroi ai për KALLXO.com.

Ai poashtu potencon se vizita e tij ka për qëllim mbajtjen e kontakteve “me ekspert shëndetësor atje edhe takime të tjera të cilët kanë karaktere pune edhe kthehet shpejtë në Kosovë”

Këshilltari potencon se ministri Latifi pritet të kthehet në Kosovë më një apo dy janar 2022.

Gjatë kohës sa ministri është në ShBA vendi është duke u ballafaquar me rastet e para të variantit “Omicron”.

Pavarësisht kësaj, ende nuk është organizuar asnjë konferencë nga ana e ministrisë së shëndetësisë dhe nuk dihet ende nëse do të ndërmerren masa të reja për të parandaluar përhapjen e këtij varianti i cili ka prekur shumë vende të botës.

Dy ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se nëntë mostra kanë rezultuar pozitiv me “Omicron” nga 22 mostra të testuara nga kitet e pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas IKShPK-së dy raste pozitive janë të importuar nga ShBA, dy raste janë të importuara nga Londra – Mbretëria e Bashkuar, një rast është i importuar nga Franca si dhe katër raste me variantin “Omicron” të detektuar janë në komunën e Mitrovicës. Katër rastet nga Mitrovica nuk u dihet se nga cili vend kanë ardhur apo nëse kanë pasur kontakt me dikë nga jashtë.

Aktualisht në Kosovë janë 343 raste aktive me SARS-CoV-2.

Varianti i ri “Omicron” për herë të parë është shfaqur në Afrikën e Jugut dhe deri më tani ka prekur shumë vende të botës.

“Të infektuar” më variantin e ri janë rreth 50 shtete të Amerikës. Rasti i parë me “Omicron” në ShBA është shfaqur me një dhjetor në Kaliforni.