Në kohën e Endrit Shalës, Ministria e Tregtisë bleu orë për dhuratë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa blerje kontraverse të kryera në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2019.

Sipas auditorit, MTI-ja kishte blerë një orë si dhuratë, ndonëse nuk dihet nga kush, për kë dhe sa është kostoja për këtë blerje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MTI se për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Pjesë e ekzaminimeve të ZKA-së ishin katër procedura të prokurimit në lidhje me kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Ndërkaq, për dy procedura të zhvilluara, Auditori thekson se nuk e kanë gjetur dokumentacionin origjinal tek zyrtari i prokurimit për “Blerja e një dhurate – orë” dhe “Furnizim me veshmbathje”.

Nga zyrtari i prokurimit, ZKA-së i janë ofruar vetëm një pjesë e dokumentacionit në kopje.

Ndërsa, sipas Ligjit për Prokurim Publik Zyrtari i Prokurimit do të mbajë dokumentacionin origjinal për prokurimin përkatës, i cili do të vihet në dispozicion sa herë kjo kërkohet nga organet mbikëqyrëse.

Ndërkaq në rastin tjetër, në kontratën lidhur për ‘Mirëmbajtjen e Parkut të Biznesit- Drenas’ ishin përfshirë dy afate të ndryshme të zbatimit të kontratës.

Auditori thekson se sipas nenit 2 të kontratës, afati kohor për kryerjen e shërbimeve ishte 24 muaj, kurse sipas kushteve të veçanta të kontratës neni 6.4, koha e përfundimit të shërbimeve ishte 12 muaj, ndërsa inicimi dhe procedurat ishin zhvilluar duke theksuar afatin për 24 muaj.

Por rastet e tilla sipas ministrisë ishin vlerësuar si gabim teknike.

“Mungesa e dokumentacionit origjinal për nevoja rishikimi, kufizon mundësinë e dokumentimit dhe krijon paqartësi nëse furnizimet dhe pagesat janë kryer sipas rregulloreve. Ndërsa, afatet kontradiktore të kohëzgjatjes në shërbimet e mirëmbajtjes, mund të krijoj paqartësi në mes palëve kontraktuese dhe mund të përfundoj me konteste gjyqësore”, thuhet në raport.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë aktualisht udhëhiqet nga ministri Vesel Krasniqi , i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

MTI-ja në Qeverinë Haradinaj 2017-2020 është drejtuar nga Endrit Shala, po ashtu nga Nisma.