Në kohën e Behgjet Pacollit, MPJ pagoi 22 mijë euro për 4 bileta biznes klasë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kishte paguar katër bileta të udhëtimit me aeroplan në klasën biznes në vlerë 22,184€, edhe pse kjo nuk është e lejuar me udhëzim administrativ.

Në raportin për vitin 2019, Auditori ka konstatuar se për asnjë nga këto 4 udhëtime të cilat ishte dashur të bëhen me klasën ekonomike, ministria nuk ka dhënë sqarime për ftesën, agjendën dhe qëllimin e vizitës.

Sipas Auditorit, Neni 16 i Udhëzimit Administrativ nr. MShP 2004/7 për Udhëtimet Zyrtare specifikon se klasa e lejuar për udhëtime zyrtare me aeroplan është klasa ekonomike. Nëse planet e udhëtimit ndryshojnë pasi të jetë prerë bileta, atëherë institucioni përkatës do të marrë përgjegjësinë për çdo shpenzim shtesë.

Mirëpo ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga ish-krye diplomati, Behgjet Pacolli kishte udhëtuar me bileta në klasën biznes pa dhënë ndonjë arsyetim për këtë përzgjedhje.

Dy bileta në vlerë prej 14 mijë e 83 euro MPJ i kishte paguar pikërisht për ish-ministrin Pacolli.

“Biletë e udhëtimit për ministrin e MPJ-së në relacionin FRA-IAD (Frankfurt- Uashington) me datë 17.07.2019, në vlerë 6,204€, bileta tjetër për ministrin e MPJ në relacioni IAD- FRA (Uashington- Frankfurt) me datë 19.07.2019 në vlerë 7,879€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Bileta tjetër për të cilën Auditori nuk ka dhënë sqarime se nga kush është përdorur ka qenë në relacionin Senegal- Stamboll-Prishtinë dhe anasjelltas, dhe as për këtë MPJ nuk ka qenë në gjendje të ofroj detaje për qëllimin e vizitës.

“Bileta tjetër me datë udhëtimi 22.07.2019, në relacionin DSS-IST-PRN-IST-DSS (Senegal- Stamboll-Prishtinë dhe anasjelltas) në vlerë 3,518€. Për këtë udhëtim ministria përveç faturës dhe pagesës, nuk ishte në gjendje të na ofroj dokumentet tjera si: ftesën, agjendën, qëllimin e vizitës në Kosovë pasi që ky nuk ishte staf i institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në raport.

Ndërsa bileta tjetër me datë udhëtimi 03.09.2019, në relacionin JED-IST-ESB-IST-PRNPRN-IST-LUN (Jedah- Stamboll- Ankara- Stamboll- Prishtinë- Stamboll- Lusaka) në vlerë 4,583€.

Sipas Auditorit shpenzimet e biletave në klasë biznes rrisin shpenzimet e ministrisë dhe ndikojnë në dëmtimin e buxhetit të ministrisë.

“Ministri duhet të siguroj që shpenzimet për biletat e aeroplanit bëhen sipas kërkesave të udhëzimit administrativ në fuqi duke evituar shpenzimet me kosto të lartë pa arsyetime”, thuhet në raport.

Auditori poashtu në raportin e tij për vitin 2019 ka konstatuar se ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, kishte emëruar 6 konsuj në Misione Diplomatike edhe pse të njëjtit nuk ishin propozuar nga komisioni përzgjedhës dhe nuk kanë kaluar përmes komisionit të gradave.

Auditori: MPJ emëroi 3 konsuj pa konkurs dhe pa kaluar përmes komisionit të gradave