Në kohë pandemie shteti ia ndal pensionin për të verbërit

70 vjeçari Rami Veliu nga Gjilani këtë muaj nuk e ka marrë pensionin e tij invalidor për të verbërit, para të vetme të cilat i pret nga shteti.

Veliu kishte humbur shikimin e tij në vitin 2013 nga sëmundja e sheqerit, dhe që nga ajo kohë ka marrë pensionin për të verbërit.

Ismajl Veliu i biri i tij rrëfen për KALLXO.com se me datën 24 korrik kur kishte shkuar për ta marrë pensionin e prindit, paratë nuk ishin transferuar në xhirollogari, kjo për shkak të mos lajmërimit me kohë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për rivlersim të gjendjes.

“ Ata as nuk kanë thirrë dhe na kanë thanë që hala nuk është formu komisioni, unë i thash që numrat e telefonit i keni është dashtë më na lajmëru. Tash e kanë lanë babin pa pension, njeri është me sëmundje. Njeriut invalid me 4 diagnoza me ja ndërpre pensionin”, tha Veliu.

Ai tutje thotë se kanë kontaktuar edhe me MPMS.

“ Unë i thirra në Ministri, thanë veç që, valla axhë po na vjen keq po i kanë ndërpre. Si është e mundur në këtë kohë të pandemisë me ju ndërpre pensioni njerezve invalid në Kosovë. As lëmoshë nuk po kërkojmë. Vetëm drejtësi që i takon me ligj”, thekson ai.

Por, Rami Veliu është vetëm njëri ndër 176 persona nga skema pensionale për personat e verbër që për shkak të mos formimit të komisioneve për vlerësimin e gjendjes u është ndërprerë pensioni.

Izet Shala nga kjo ministri tha se shkak i vonesave për komisionet mjekësore është situata e krijuar nga pandemia COVID-19.

“Situata e krijuar për shkak të Pandemisë Covid – 19, është arsyeja kryesore pse komisjoni mjeksor nuk ka mund t`i shqyrtoj të gjitha lëndët që presin për rivlersim nga kto skema pensionale dhe kompenzime. Në pritje për rivlersim nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 829 persona, ndërsa në skemën e kompenzimit për të verbërit janë në pritje 176 persona”, tha ai.

Shala tutje shtoi se komisionet mjekësore për ekzaminimin e këtyre lëndëve do të fillojnë punën nga muaji gusht.

“Ju informoj se komisjonet mjekësore për ekzaminimin e lëndve që presin për rivlersim nga skema e pensioneve të personave me aftësi të kufizuara do të vazhdojë punën që nga fillimi i  muajit gusht/2020“, ka thënë Shala përmes një përgjigje me shkrim.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti thekson se Komisioni Mjekësor vlerson paaftësinë në kohëzgjatje për periudhën prej një, tre apo pesë  vitesh dhe pas skadimit të afateve të përcaktuara personi i nënshtrohet procedurës së rivlerësimit mjekësor.