Komuna e Rahovecit

Në kohë pandemie, Komuna e Rahovecit shpallë konkursin për bursa të studentëve

Në kohën kur vendi po ballafaqohet me pandeminë CoVid-19, Komuna e Rahovecit është përkujdesur që të shpallë konkurs për ndarjen e bursave për studentë për vitin akademik 2019-20 për studentët e Universiteteve Publike.

Në njoftimin e shpallur nga Komuna, thuhet se numri i bursave të planifikuara është 100 dhe shuma e bursës është 50 euro.

Si kriter për ndarjen e bursave është bërë e ditur se do të aplikohen disa kritere siç janë: Lëmia e studimit, suksesi gjatë studimeve, gjendja ekonomike familjare dhe fëmijët e të rënëve të luftës.

Sipas po këtij njoftimi, bursa do të dhurohet me kohëzgjatje për një vit me të drejtë vazhdimi, nëse përfituesi i bursës ka regjistruar me sukses vitin pasues.

Dokumentet e nevojshme për aplikim si përfitues i bursës janë: Kërkesa me biografi të shkurtër, vërtetimi i drejtimit të Fakultetit, certifikata e notave, fotokopja e Indexit apo ID kartelës, dëshmia mbi gjendjen sociale, vërtetimi se jeni familjarë i të rënit të luftës dhe kopja e letërnjoftimit.

Po ashtu është bërë e ditur se afati i fundit për aplikim është deri më 5 maj dhe dokumentet duhet të dorëzohen në zyrat e Drejtorisë së Arsimit në Rahovec.

KALLXO.com ka dërguar pytje drejtorit të Arsimit të kësaj komune, Avni Morina dhe është duke pritur përgjigje. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli DKA nuk ka kthyer përgjigje.

Qeveria e Kosovës më 11 mars si masë parandaluese kishte marrë vendim për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet.

Kurse, aktualisht studentët janë duke mbajtur ligjërata online.

Ndërsa, në vendin tonë deri më tani janë 170 persona të infektuar më coronavirus, 24 të shëruar dhe 4 të vdekur.