
Ilustrim
Në kohë fushate, Komuna e Gjilanit shpërndan ndihma - pako ushqimore e higjienike
Në muajin e fushatës zgjedhore, Komuna e Gjilanit më 15.01.2025 u ka shpërndarë ndihma 500 familjeve të kësaj komune. Ndihma përfshin pako me ushqime, miell e mjete higjienike.
Aktiviteti u zhvillua sot, më 15.01.2025, në Gjilan.
Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës të drejtorit të Shëndetësisë të Komunës së Gjilanit, Hekuran Rapuca, i cili e ka konfirmuar këtë aktivitet.
Ai tha se aktiviteti ka qenë i organizuar nga vetë Komuna për t’u dalë në ndihmë familjeve, të cilat janë përfituese të asistencës sociale.
Sipas Rapucës, shpërndarja e ndihmave nga Komuna e Gjilanit për familjet nevojtare nuk është bërë për shkak të fushatës zgjedhore, duke mohuar se një organizim i tillë ka pasur qëllime politike.
“Jo vetëm miell, faktikish kanë qenë pako ushqimore dhe higjienike. Është organizim i njëjtë që mbahet për tri vite me radhë. Unë veç pash në disa shkrime që ka marrë konotacion tjetër. Komuna është siguru që në secilin prej viteve prej që jemi në qeverisje, me shpërnda pako të tilla edhe duke e ditë që janari dhe shkurti janë ndoshta muajt më të dobët financiarisht tek secili, e kemi planifiku në këtë kohë, nuk ka të bëjë me fushatën kjo”- ka deklaruar Rapuca.
Më 11.01.2025 ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 09.02.2025.
Komuna e Gjilanit udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.