Në kohë coronavirusi, Kryeprokurori i Shtetit pret në takim shefin e EULEX-it

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti sot në takim shefin e ri të EULEX-it, Lars – Gunnar Wigemark.

Deri në këto momente në Kosovë janë konfirmuar 15 persona të prekur nga coronavirusi. Kurse, mbrëmë Qeveria e Kosovës shpalli gjendje të emergjente të shëndetit publik.

Megjithatë, kjo gjendje nuk e ka penguar të parin e Kryeprokurorisë së Shtetit që takimet t’i zhvillojë normalisht.

Gjatë takimit me shefin e EULEX-it, kryeprokurori Lumezi e ka uruar atë për detyrën e re, me ç ‘rast e ka vlerësuar si të rëndësishëm rolin e këtij misioni në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të sistemit prokurorial.

Në këtë kontekst, është diskutuar nevoja për avancimin e bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën dhe vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit në ndjekjen e të gjithave formave të krimit, si edhe për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial dhe ngritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Tutje, Kryeprokurori i Shtetit gjatë këtij takimi e ka informuar të parin e EULEX-it edhe me integrimin dhe punën në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, e cila përbënë shembull të mirë të funksionimit shumetnik, ndër njerëzor dhe ndër kolegial”, thuhet në komunikatë.

Sipas zyrës së kryeprokurorit, shefi i ri i EULEX-it ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë që të përkrahur dhe mbështetur punën e Kryeprokurorit të Shtetit në fushën e sundimit të ligjit.

“Në anën tjetër, shefi i EULEX-it, Lars – Gunnar Wigemark, shprehu gatishmërinë që brenda mandatit të cilin e ka misioni i EULEX-it, të përkrah dhe mbështes punën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë prokurorëve në promovimin e sundimit të ligjit”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndër të tjera, sipas komunikatës për media, thuhet se Lumezi dhe Wigemark gjatë këtij takimi e vlerësuan si të nevojshëm edhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, personat e pagjetur dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 15 mars 2020, ka nxjerrë një vendim pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin, që të reduktohen esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të gjitha gjykatave të Kosovës.

Ky vendim erdhi pas vendimit të Qeverisë që të shpallë gjendje emergjente në vend.

Deri në këto momente në Kosovë janë konfirmuar 15 persona të prekur nga coronavirusi. Kurse, mbrëmë Qeveria e Kosovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur coronavirusin pandemi pas rritjes së numrit të të prekurve sidomos në Europë.