Në Klinë përurohet busti i Anton Çettës në 31 vjetorin e pajtimit të gjaqeve
31 vite nga koha kur funksionoi Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, sot në qytetin e Klinës është përuruar busti i parë i atdhetarit Anton Çetta, që ishte në krye të kësaj lëvizje për ndaljen e gjakmarrjes në mes të shqiptarëve.
Në një tubim në sheshin kryesor të Klinës u bë sot përurimi i shtatores. Realizimi artistik i portretit është modeluar nga skulptori Agron Blakcori, ndërsa realizimi në bronz nga Emilioano Nurcja.
Organizatori dhe njëri nga 100 donatorët, Kristë Çetta ka thënë se shteti deri më tani e ka lënë pas dore Anton Çettën.
“Jemi krenar dhe jemi falënderues ndaj kryetarit të Klinës që na mundësoi vendosjes e shtatores këtu. Qeveria e ka lënë pas dore Anton Çettën por populli nuk e harron kurrë. Duhet t’i ndjekim këshillat e tij dhe nuk duhet të kemi vëllavrasje e ngatërresa”, ka thënë Çetta.
Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka thënë se Komuna ka ndihmuar këtë projekt me sigurimin e lokacionit, ndërsa propozimi ka qenë i Asosciacionit të Shoqatës ‘Luigj Gurakuqi’ në Klinë.
“Gjithçka i takon asociacionit dhe pjesëtarëve të diasporës me të gjitha donacionet dhe shumë bashkatdhetar kanë kontribuar, ne nuk kemi marrë pjesë në financim, por vetëm në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm dhe dhënien e lejes. Gjithçka ndriçon bukur për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të Klinës. Ky lokacion këtu do të jetë nën përkujdesjen e komunës së Klinës dhe do të mirëmbahet nga komuna”, ka thënë Elezaj, gjatë përurimit.
Pjesëmarrës në përurim ka qenë edhe deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, i cili tha se fjalimet e pjesëmarrësve të organizimit sollën kujtime e treguan momente që bënë historinë dhe përfunduan etapën e gjakmarrjes ndër shqiptarë.
“Anton Çetta i rrethuar me Zekrija Canen, Dom Lush Gjergjin, Myderris Idriz Kokrruki e shumë gra e burra mendjedritur përvjelën mëngët dhe odë me odë, shtëpi e lagje, fushë e kodrinë në kohërat më të vêshtira treguan se të bashkuar mundemi dhe fitojmë dhe gjakun e falur e kthejmë në vlerë dhe forcë. Shumë borxh i kemi Anton Çettës dhe asaj gjenerate të patriotëve që vendosën themelet e shtetit, edukuan breza, pajtuan e i bënë bashkë mysliman e të krishterë, fshat e qytet për të realizuar endrrën e përbashkët të lirisë e mvetësisë”, tha Abazi.
Ndërsa Paulin Zefi, drejtor i Muzeut Etnografik dhe Memorialit të vendvarrimit të Skendërbeut në Lezhë, tha se pasi të zyrtarizohet shoqata ‘At Gjergj Fishta’ do të vendoset një statujë e Anton Çettës në bashkinë e Mirditës, në qytetin Rrëshen.
Kujtojmë se në janar ishte bërë një përpjekje për vendosjen e shtatores së Anton Çettës në oborrin e Katedrales në Prishtinë, por kjo gjë ishte kundërshtuar nga familja e Çettës.
“Siç̧ dihet, veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar. Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, thuhej në reagimin e vajzave të Çettës.
Në shkurt të vitit 1990 disa të rinj e formuan Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, në ballë të së cilës
u vu Profesori Anton Çetta ndërsa mendohet se kjo lëvizje ka pajtuar mbi 1500 familje.