Delegacioni taliban në Doha.

Në Katar rinisin bisedimet për paqen afgane

Bisedimet për paqe në mes të talibanëve dhe Qeverisë afganë janë rikthyer në Katar pas më shumë se një muaji, si pasojë e përshkallëzimit të dhunës në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar sërish armëpushim për të zvogëluar numrin e viktimave.

Zëdhënësi i talibanëve Mohammad Naeem, ka thënë në orët e vona të 22 shkurtit se bisedimet kanë nisur.

Agjencia TOLO ka cituar Naeem të ketë thënë se takimi është mbajtur në mes të udhëheqësve të delegacioneve dhe disa pjesëtarëve të ekipeve negociatore në Doha, dhe se aty është diskutuar për vazhdimësi të negociatave.

Naeem ka thënë se grupet punuese do të vazhdojnë takimet e tyre sipas agjendës.

Bisedimet në mes të dyja palëve janë ndërprerë pak pas fillimit muajin e kaluar.

Prioriteti kyç i bisedimeve për Qeverinë afgane dhe Shtetet e Bashkuara është zvogëlimi i shkallës së dhunës, që do të rezultonte më pas me armëpushim.

Talibanët kanë thënë se një gjë e tillë është e negociueshme, ndonëse ende nuk kanë arritur te armëpushimi potencial.

Kombet e Bashkuara kanë publikuar të martën një raport, në të cilin është thënë se ndonëse numri i afganëve të vrarë dhe të plagosur ka rënë për 15 për qind vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2019, dhuna është rritur në muajt e fundit të 2020-ës.

Në raport është thënë se ulja e numrit të viktimave është rezultat i asaj që duket se është ndryshim i taktikave të vrasjeve.

Mirëpo në raport ka pasur vërejtje alarmuese për numrin në rritje të viktimave në tre muajt e fundit të vitit 2020, kur kanë nisur bisedimet për paqe.

Numri total i viktimave vitin e kaluar ka qenë 8,820 – duke përfshirë 3,035 të vrarë 5,785 të plagosur – shifër që ka rënë nën 10,000 për herë të parë prej vitit 2013.

Gratë afgane dhe fëmijët përbëjnë 43 për qind të të gjitha viktimave. REL