Ilustrim, Burimi: pixabay.com

Ilustrim, Burimi: pixabay.com

Në janar janë shtrenjtuar produktet mbi 7% krahasuar me janarin e vitit të kaluar

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se inflacioni mujor në janar është rritur për 7.1 për qind krahasuar me janarin e vitit 2021.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin janar krahasuar me muajin dhjetor 2021.

ASK tregon se ku pati rritje çmimesh në konsum.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.2%); mish (1.3%); qumësht, djathë dhe vezë (1.5%); vajra dhe yndyra ushqimore (1.7%); perime (6.3%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.6%); duhan (1.2%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (1.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2.0%); shërbime për transport (2.3%); shërbime hoteliere (1.4%); kujdes personal (2.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind në IHÇK.”, thuhet në komunikatë.

Inflacioni i muaji janar të sivjetmë mbi 7% më i lartë se janar 2021

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar të këtij vitit, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021, ishte 7.1 për qind më i lartë.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te buka dhe drithërat 14.9 për qind, mish 7.6 për qind, qumësht, djathë dhe vezë 9.0 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore 33.7 për qind, perime 11.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 9.2 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj.

Po ashtu 6.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao 10.8 për qind, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 2.7 për qind, duhan 6.2 për qind, këpucë 2.9 për qind, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 3.7 për qind, furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin 1.4 për qind, energji elektrike 12.3 për qind, – (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike Covid -19, Nr. 07/L-016 neni 15).

Gaz (19.8%), lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (12.7%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje  2.8 për qind; pajisje shtëpiake 5.6 për qind; qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës 2.5 për qind, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 4.6 për qind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2.7 për qind, produkte farmaceutike 4.4 për qind.

Blerja e automjeteve 5.9 për qind, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 5.0 për qind; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 24.5 për qind, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit 6.7 për qind, shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 9.9 për qind, shërbime për transport 3.0 për qind, pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative 2.2 për qind, gazeta, libra dhe materiale për zyra 1.7 për qind, shërbime hoteliere 6.9 për qind, kujdes personal 4.0 për qind, gjëra personale 2.3 për qind, dhe shërbime financiare 3.4 për qind.

Rënia çmimesh pati në pemë dhe veshje.

“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te pemë (-5.8%); dhe veshje (-1.8%), me një ndikim prej (-0.2 për qind)”, bën të ditur ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditur me publikimin e raportit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2022.