Leposaviq. Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com
Në ish objektin e komunës paralele në Leposaviq është vendosur pllaka me emërtimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim
Ministria për Komunitete dhe Kthim e Kosovës ka vendosur pllakatën në ish objektin e komunës paralele në Leposaviq.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi i cili potencoi se nuk kishte ndonjë incident si pasojë e këtij vendimi.
“Në Leposaviq është vendosur Ministria e Kthimit e drejtuar nga minsitri Rashiq. Është vendosur të shtunën. Nuk ka ndodhur ndonjë incident. Kam dalë vetë prej atje e kena këqyr. Krejt në rregull”- ka thënë Hetemi për KALLXO.com
KALLXO.com raportoi se më 02.09.2024 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Brendshme si dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë vendosur pllakat me emërtimet e tyre në ish-objektin e strukturës paralele në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.
Ky objekt është mbyllur nga Policia e Kosovës të premten më 30.08.2024 së bashku me katër objekte të tjera të strukturave paralele që kanë operuar në veri.
Sipas ekipit të KALLXO.com që është ka raportuar nga vendi i ngjarjes, policia në terren thonë se degët e ministrive të lartpërmendura do të vendosen së shpejti brenda këtij objekti dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve- pa dallim.
Në ish-objektin e komunës paralele të Mitrovicës së veriut është vendosur një pllakë e Departamentin të patentë shoferëve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme më 01.09.2024.
KALLXO.com ka raportuar edhe për vendosjen e flamujve të Kosovës në dy nga ish objektet e strukturave paralele.
Policia e Kosovës ka larguar më 05.09.2024 gjësendet që kanë qenë brenda ndërtesës e cila është shfrytëzuar nga strukturat paralele serbe në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë në objekt është vendosur flamuri i Kosovës.
Ekipi i KALLXO.com ka raportuar , më 04.09.2024, se flamuri i Republikës së Kosovës është vendosur edhe afër objektit në të cilin ka vepruar Komuna paralele serbe e Mitrovicës.
Deri para pak ditësh aty ka qenë i vendosur flamuri serb.
Më 30.08.2024, janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Aksioni i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, duke u cilësuar si veprim i pakoordinuar që mund të sjell tensionim të situatës në veri të Kosovës.