Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK). FOTO: Ministria e Shëndetësisë

Në IKSHPK caktohen Laboratorët Referentë për Influencën, Fruthin dhe Rubellën

Me Vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShKP) ka caktuar dy laboratorë referentë në kuadër të këtij institucioni.

Laboratori për Influencë është caktuar si laborator referent për diagnostifikimin e monitorimin e influencës dhe viruseve të tjera respiratore në nivel kombëtar.

Ndërsa Laboratori për Fruth dhe Rubellë është caktuar si laborator referent për diagnostifikimin, monitorimin dhe studimin e fruthit dhe rubellës.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, ndër të tjera, funksioni i Laboratorit Referent për Influencë është si Qendër Diagnostike për Influencën dhe Virusët Respiratorë në Kosovë dhe shërben si Qendër Trajnimi për Personelin Laboratorik mbi Diagnozën e Influencës dhe Viruseve.

“Detyrat Specifike të Laboratorit Referent për Influencë: teston mostra për sëmundje të ngjashme me gripin dhe infeksione akute respiratore, sipas mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse; identifikon dhe dallon nëntipe të influencës A dhe B, duke përdorur metoda diagnostike të avancuara; përgatit dhe raporton të dhëna statistikore për IKSHPK; ruajtja e mostrave në mikrobanka dhe dërgimi i tyre në Qendrat Bashkëpunuese të OBSH-së për zhvillimin e vaksinave sezonale.” – thuhet në njoftimin e datës 14.01.2025.

Ndërkaq, detyrat specifike të Laboratorit Referent për Fruth dhe Rubellë janë që të sigurojë teste diagnostifikuese e këshilla shkencore për kontrollin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shpërndarjen e produkteve referente biologjike për diagnostifikim.