Në Graçanicë protestohet ndaj arrestimit të të rinjve pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiqit

Më shumë se 50 nxënës u mblodhën jashtë stacionit të policisë në Graçanicë për të shfaqur përkrahje për të rinjtë që u arrestuan gjatë kacafytjes në Llaplla Sellë.

Turma po brohoriste “ne duam drejtësi” dhe “na i ktheni vëllezërit”. Përpos nxënësve të shkollës së mesme të pranishëm kishte edhe prindër, profesorë dhe qytetarë të tjerë jashtë stacionit të Policisë, raporton Kossev

Pjesëtarë të Policisë kanë qenë po ashtu duke monitoruar gjendjen.

Komandanti i stacionit Bratisllav Trajkoviç nuk komentoi për mbledhjen e nxënëseve, dhe as mësuesit që ishin të pranishëm, sipas RTV Kim.

Milica Maksimoviç, një nxënëse e shkollës së mesme tha se ka ardhur të mbështes shokët që janë në mbajtje.

“Si një atlete, e di se shokët tanë nuk e kanë vendin në mbajtje.  Shpresoj që do arrijmë diçka duke u bashkuar sepse të gjithë kemi ardhur t’i mbështesim dhe që ata të shohin se nuk janë vetëm,”  tha Milica.

“Këta të gjithë janë vëllezërit, shokët dhe bashkëmoshataret tanë. Sigurisht, të gjithë jemi të përgjegjshëm për veprimet e tona, por jo deri këtu. Për këtë arsye, unë dhe shokët e mi jemi këtu,”  tha nxënësja Katarina Milenkoviç.

Sllobodan Stanisavljeviç, trajner i Klubit të Kickboksit në Llaplla Sellë, tha se djemtë që janë në mbajtje si shkak i rrahjes  duhet të kenë mbështetje. Ai theksoi se shoqëria ka dështuar dhe se duhet të ndalim dallimet se i kujt është fëmija.

“Në të ardhmen, ne duhet të punojmë shumë për t’u siguruar që gjëra të tilla të mos ndodhin kurrë, që djemtë nuk kapen me njëri tjetrin dhe të qartësojmë se nuk do ketë më “e jotja dhe e jona”, ata të gjithë janë fëmijët tanë. Nuk ka rëndësi nëse Nikolla është djali i Nenadit ose nëse Ilia është djali i Majkut. Ata të gjithë janë fëmijët tanë, nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Është shumë e rëndësishme ta përfshijmë sistemin e edukimit në gjithë këtë, të punojmë më shumë me fëmijët, ta vëmë edukimin në vendin e duhur, ta vëmë promovimin e sportit në nivel tjetër po ashtu,” tha Stanisavljeviç.

“Ne kemi ardhur këtu për të shprehur pakënaqësinë tonë me vendimin. Ne nuk jemi të kënaqur me vendimin dhe do t’i mbështesim ata në çdo mënyrë. Hetimi është duke vazhduar, por ne presim që drejtësia të dalë, që fajtorët të vuajnë pasojat “, tha Marija Gjokiç.

Gjykata Themelore në Graçanicë dha urdhër për paraburgim me 30 ditë  shtatë të rinjve që u përfshinë në përleshjen masive në fshatin Llaplla Sellë.

Prindërit, të afërmit dhe miqtë u mblodhën jashtë stacionit të policisë mbrëmë për të protestuar ndaj vendimit të gjykatës.

Protestë do mbahet edhe sot në orën 18:00