
Foto nga seanca të kaluara - Foto: KALLXO.com
Në gjykimin e vëllezërve Sallahu dëgjohen dy dëshmitarë
Vëllezërit Lulzim e Naim Sallahu janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Në këtë rast po akuzohet edhe kompania “Sa Sallahu” si person juridik për të cilën person përgjegjës është i akuzuari Lulzim Sallahu.
Kompania së bashku me aksionarin e saj, Lulzim Sallahun, po akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, ndërsa Naim Sallahu po akuzohet për falsifikim të dokumenteve.
Në seancën e sotme, më 18.02.2025, janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Fillimisht dëshmi ka dhënë dëshmitari Ilmi Feta.
Dëshmitari ka treguar se pasi kishte diplomuar si inxhinier i ndërtimtarisë kishte nisur punën në një kompani private si dhe në laboratorin e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Feta tregoi se deri sa punonte në kompaninë private, ishte njoftuar me Lulzim Sallahun, i cili sipas dëshmisë së tij kishte pasur nevojë për konsultat e tij dhe kështu kishte filluar bashkëpunimin me kompaninë e tashmë të pandehurit “Sallahu”.
Dëshmitari tha se edhe sot e kësaj dite bashkëpunojnë.
“Dua të shtoj faktin se nga viti 2008 kam filluar si bashkëpunëtorë në firmën “Sallahu” ku pjesë e kësaj firme jam sot e kësaj ditë.” -shtoi tutje Ilmi Feta.
Në vitin 2007 kur kishte diplomuar profesioni i tij kishte qenë shumë i kërkuar si profesion në momentin kur kishte filluar punën në “Etelo” ishte takuar me Lulzimin dhe prej atë kohë kishin filluar konsultimet. Ai kishte pasur nevojë për konsulltat e tij dhe sot e asaj dite tha se ata bashkëpunojnë.
“Prej vitit 2008 në të gjitha projektet që i ka pasur kompania ‘Sallahu’ kam qenë i kyçur ndonjëherë më shumë e ndonjëherë më pak” – tha dëshmitari Feta.
“A keni plotësuar ndonjëherë ndonjë CV për ndonjë projekt të caktuar? A ju është kërkuar ndonjëherë ndonjë CV?” – e pyeti dëshmitarin prokurorja Habibe Salihu.
“Po, është kërkuar” – tha Feta.
“A mundesh me na tregu lidhur me CV a e keni plotësu ju apo dikush tjetër? A ka ndodhur ndonjëherë që ajo të mos jetë reale me atë qe keni plotësuar?” – ishte pyetja e radhës e prokurores Habibe Salihu.
“Nëse është fjala për një gabim teknik që ka ndodhur në një CV aty ka ndodhur një gabim teknik por jo në ndonjë rast tjetër” – u përgjigj Feta.
“Unë kam vërejtur atë gabim teknik vetëm kur më ka thirrur prokurori dhe më ka treguar. Në këtë CV rezulton se unë kam filluar studimet më herët se viti real, ku unë studimet i kam përfunduar në vitin 1994 ndërsa nëse nuk gabohem në CV shkruan 1999” – tha dëshmitari Ilmi Feta.
Ai tutje rrëfeu gjatë dëshmisë së tij se CV, kontrata mbi vepër, kontrata për punë të ndryshme që ai i kishte lidhur me kompaninë “Sallahu” i kishte lidhur nga 4-5 në të njëjtën kohë dhe ai nuk e kishte vërejtur atë gabim teknik.
Ai tha se nuk e dinte nëse e kishte shkruar vetë ndonjë gabim në CV apo këtë e kishte lëshuar kompania “Sallahu”.
Në kompaninë “Sallahu” ai tregoi se pagesa në vitet e para i ishte bërë me një kupon (paragon-faturë) ku ishte vërtetuar se ai kishte marrë pagesën ndërsa nga viti 2019-2021 kishte filluar të paguhej përmes bankës.
‘Kontrata juaj e lidhur me kompaninë “Sallahu” a është pozicioni juaj gjithnjë i njëjtë apo ndryshon”? – e pyeti prokurorja Salihu.
“Shumicën e kontratave që i kam me kompaninë “Sallahu” jam si Inxhinier ndërtimi mirëpo për punë specifike të kompanisë. Më shumë për rrugë, asfalte , punë që kanë pasur nevojë për këshilla të mia” – tha dëshmitari Feta.
Për këtë dëshmitar pati pyetje edhe trupi gjykues.
“Në kompaninë “Sallahu” a ke qenë i kyçur me kontratë të rregullt apo me pagë sekondare?” – e pyeti gjyqtari Kushtrim Shyti.
“Me pagë sekondare në bazë të projekteve që kemi përfituar jam angazhuar pasi ka plot projekte që kemi konkurruar por s’i kemi fituar”- tha Feta.
Ai gjithashtu rrëfeu se në të gjitha projektet nga viti 2008 e deri sot në kompaninë “Sallahu” kishte qenë i angazhuar diku më shumë diku më pak.
Dëshmitari i dytë i cili dha dëshminë e tij ishte Lavdim Guri, i cili në fillim të dëshmisë së tij bëri të ditur se me firmën “Sallahu” kishte pasur bashkëpunim pas vitit 2010 apo 2011.
“Po, kam pasur besoj që pas vitit 2010 ose 2011, domethënë unë kam qenë si Inxhinier i trafikut rrugor për mbarëvajtjen apo vendosjen e sinjalizimit rrugor dhe këtë bashkëpunim e kam pasur me firmën “Sallahu”. Bashkëpunimi ka zgjatur nga viti 2010 ose 2011 e deri në qershor të vitit 2024. Unë u kam ofruar diplomën time kompanisë “Sallahu” që të njëjtit të mund të aplikojnë në tenderë edhe tani kohë pas kohe kam dhënë këshilla profesionale te kompania në lidhje sinjalizimin e rrugëve” – tha dëshmitari Lavdim Guri.
Në lidhje më këto këshilla që ia kishte dhënë kompanisë “Sallahu” një kohë ishte kompensuar me para në dorë dhe pastaj përmes bankës dhe po ashtu specifikoi se i kishte pasur disa kontrata me kompaninë “Sallahu”.
“Brenda vitit kam pasur kontratë për pagesë dhe shuma ka qenë 800 euro në vit” – tha Lavdim Guri.
Ai tha se pavarësisht sa kontrata në vit kishte pasur ai ishte paguar 800 euro në vit. Ndërsa se sa kontrata i kishte lidhur dhe për sa vite tha se nuk i kujtohet sepse ka kaluar një periudhë e gjatë kohore.
Përveç shumës 800 euro ai ishte paguar edhe për punë shtesë.
Tutje gjatë seancës ai tha se te kompania “Sallahu” po ashtu kishte dërguar një CV dhe çfarëdo që përmban ajo CV është e saktë.
“Po, e kam dorëzu CV te kjo kompani, e kam përgatitur vet, a koha kurrë nuk më kujtohet”- tha Lavdim Guri.
“Sqaroj se kur kam qenë në Prokurori për shkak të vitit kam pasur dilemat a është kjo CV e imja por tani them se kjo është CV-ja ime të cilën e kam nënshkruar vet” – shtoi Lavdim Guri.
Për këtë dëshmitar e pati një pyetje edhe i akuzuari Naim Sallahu.
“Lavdim ne jemi takuar shumë shpesh, po, është e vërtetë që të gjitha këto raporte nuk na kujtohen që 15 vite por gjatë realizimit të punimit qe ne e kemi pasur të realizuar projektin a jemi taku dhe konsultuar dhe a e kemi kërkuar ndihmën tuaj lidhur me pjesën e sinjalizimit për ato projekte ku kemi qenë duke realizuar ato punime?” – ishte pyetja e Naim Sallahut.
“Po, është e vërtetë që te projektet që ka pasur punë me sinjalizim rrugor jemi konsultu dhe kemi bashkëpunuar për ato projekte” – tha Lavdim Guri.
Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari tha se asnjëherë nuk dyshon te firma ‘Sallahu’ që ia ka keqpërdorur dokumentet e tij dhe shtoi se nuk i kujtohet asnjë nga emrat e projekteve që kishte marrë pjesë.
Seanca e sotme u ndërpre ndërkaq vazhdimi i këtij shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarit Nazmi Musliu.
Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Ngadhnjim Arrni (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj.
Kujtojmë se në seancën e 10.01.2024 të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me këtë rast me 03.11.2023. Aktakuzë kjo e përpiluar nga prokurori special Dren Paca.
Sipas kësaj aktakuze, Lulzim Sallahu në cilësinë e drejtorit të “Sa Sallahu” gjatë aplikimit në procedurat e prokurimit publik ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme me qëllim që kompania e tij të shpallej fituese e një projekti.
Projekti në fjalë ka qenë “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren – Prevallë” i publikuar nga autoriteti kontraktues – Ministria e Infrastrukturës në vitin 2019.
Qëllimi i tij, sipas aktakuzës, ka qenë mashtrimi dhe ndikimi në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës ndërsa dokumentet e paraqitura kanë qenë konkretisht CV-të dhe referencat në emër të personave N.M., I.F., B.K. dhe L.G. si dëshmi se këta persona ishin të angazhuar si inxhinierë në kompaninë në fjalë.
Referencat përmbanin titujt e projekteve si “Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrje Klinë – Pejë”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segmenti: Arllat-Kijevë (Gjurgjicë – Llozicë)”.
Sipas aktakuzës, këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të njëjtit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë së tij dhe të njëjtit posedonin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.
Për këto veprime të pretenduara Prokuroria Speciale e ka ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik, vepra të cilat rëndojnë mbi Lulzim Sallahun dhe kompaninë e tij “Sa Sallahu”.
Ndërkaq, Naim Sallahu akuzohet se me qëllim që t’i ndihmonte vëllait të tij Lulzim Sallahut për plotësimin e kushteve të tenderit përkatës, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e lartcekura me përmbajtje të rreme.
Kështu, Prokuroria Speciale të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Në mesin e provave përmes të cilave Prokuroria do të tentojë të provojë pretendimet e aktakuzës janë diplomat universitare, CV-të dhe referencat e personave N.M., I.F., B.K. dhe L.G., por edhe të personave të tjerë.