Në gjykimin e ish-policëve për ryshfet dështojnë tri seanca

Të hënën në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca ndaj 14 ish -policëve të njësisë së trafikut në Mitrovicën Jugore, të cilët po akuzohen për marrje ryshfeti.

Seanca ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurores së rastit Zejnije Kela.

Gjykatësi i rastit Avni Mehmeti, ka njoftuar palët prezente se është njoftuar nga prokuroja Kela përmes telefonit se ajo ka rast vdekje në familje dhe se ajo nuk mund të marrë pjesë as në seancat e parapara për 5 dhe 6 nëntor.

Nën këto kushte, gjykatësi Mehmeti ka shtyrë seancën e djeshme dhe ka anuluar edhe seancat në datat e lartcekura.

Seancat e radhës janë caktuar për 29 nëntor 2019, si dhe 16, 17 dhe 24 dhjetor 2019.

Këta pjesëtarë janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas se cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35  policë të atëhershëm për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti.

Në mesin e të akuzuarve për veprën penale “dhënia e ryshfetit” kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët edhe e kanë pranuar fajësinë. Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës iu kishte  shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh për secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur, kurse në gusht të viti 2017 gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve tani ish -policëve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, raporton Kallxo.

Në gjykatë sot ishin të pranishëm 14 ish- zyrtarët policorë Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveq të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hudhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se kanë përfituar për xhepin e tyre dhe i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.

Deklarohen të Pafajshëm 15 Policët e Akuzuar për Marrje Ryshfeti