Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Besnik Krasniqit, i akuzuar se punësoi të emëruarin politik, gazetari shpjegon njoftimin e AAK-së për kryesinë e re të saj

Në seancën gjyqësore të datës 31.10.2024 në rastin e Besnik Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në Gjykatën e Prizrenit ka dëshmuar Luan Sallauka.

Duke qenë se Prokuroria e Prizrenit pretendon se Besnik Krasniqi, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrat e tij zyrtare në cilësinë e kryetarit të komisionit të aksionarëve “Eko-Regjioni” në Prizren, duke vënë në lajthim faktik dy anëtarët e tjerë të komisionit, nxjerr vendim dhe e emëron përkohësisht Liridon Sallaukën, sipas Prokurorisë sekretar i përgjithshëm i AAK-së dega në Prizren, dëshmitari Sallauka ka dhënë detaje për lajmin e portalit “04 online” ku punon si gazetar lidhur me përbërjen e kryesisë së degës së AAK-së në Prizren.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetares së trupit gjykues, Raima Elezi, dëshmitari Sallauka sqaroi se në njoftimin e fundit, i cili sipas tij është redaktuar nga AAK, janë larguar emrat e kryetarit dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të zgjedhur në pozita udhëheqëse të degës së kësaj partie.

Sipas tij, pjesa tjetër e njoftimit ka mbetur e pandryshuar.

“Kam kuptuar që ndryshimi i fundit në njoftimin që ka  bërë AAK më 02.06.2022 është që janë larguar, janë hequr të gjithë emrat e të zgjedhurve në kryesinë e re, duke përfshirë emrin e kryetarit, 6 nënkryetarëve dhe tre sekretarëve” – tha dëshmitari.

Sipas tij, pjesa tjetër e njoftimit ka mbetur e njëjtë dhe se AAK nuk ka dhënë asnjë arsye për ndryshimet në njoftim.

Luan Sallauka tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më 02.06.2022, në ora 17:35, ka publikuar në ueb- portal lajmin me titullin: “AAK në Prizren zgjedh kryesinë e re”. I njëjti lajm, sipas dëshmitarit, në ora 18:10 në datën e njëjtë është publikuar në faqen zyrtare të portalit “04 online” në Facebook.

“Në të njëjtën datë në ora 18:12, linkun e lajmit në fjalë ia kam përcjellë linkun e lajmit kryetarit të degës së AAK në Prizren, z. Besnik Krasniqi’’ – shtoi dëshmitari.

Po ashtu, Sallauka shtoi se pas hulumtimit të bërë më 24.10.2024 kishte kuptuar se në të njëjtën datë, AAK kishte bërë një redaktim në njoftimin e saj.

Sipas tij, në redaktim ishin larguar emrat e kryetarit, gjashtë nënkryetarëve dhe tre sekretarëve nga përbërja e kryesisë së re.

I njëjti tha se portali “04 Online” nuk u informua për ndryshimin e bërë në njoftim nga AAK.

Ai shtoi se në adresën zyrtare të portalit në fjalë nuk ekziston dhe nuk disponojnë një lutje, kërkesë për të demantuar lajmin në fjalë.

Sallauka tha se procedurë e punës në këtë portal, praktikisht redaktimi në bazë të kërkesës që drejtohet te portali, mund të realizohet brenda 10 sekondave deri në një minutë.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar dëshminë e dëshmitarit Sallauka dhe se si e tillë, deklarata nuk mund të merret as në dëm të të akuzuarit por as në favor të të akuzuarit, dhe për arsye të mëtejshme do të deklarohet në fjalën përfundimtare.

Ndërsa trupi gjykues nuk aprovoi propozimin e prokurorit Mehdi Sefa për dëgjimin e ekspertit të IT-së.

Ndërsa, Gjykata aprovoi propozimin për provën materiale – CD, e propozuar nga ana e të dëmtuarit Bujar Dakaj.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 26.11.2024.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Raima Elezi, Teuta Krusha dhe Nazim Vllaço.

Kujtojmë se Prokuroria e Prizrenit më 31.07.2023 kishte ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit për shkak që më 20.06.2022 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrat e tij zyrtare në cilësinë e kryetarit të komisionit të aksionarëve “Eko-Regjioni” në Prizren, duke vënë në lajthim faktik dy anëtarët e tjerë të komisionit, nxjerr vendim dhe e emëron përkohësisht Liridon Sallaukën kryetar të bordit të drejtorëve të “Eko-Regjionit”.

Në aktakuzë thuhet që Liridon Sallauka ishte i emëruar politik, përkatësisht sekretar i përgjithshëm i AAK-së – dega në Prizren dhe në këtë mënyrë me të njëjtin vendim e ka shkarkuar Bujar Dakajn nga pozita e kryesuesit të bordit.

Potencojmë që i akuzuari Besnik Krasniqi është kryetar i AAK-së  – dega në Prizren.

Raportime e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.