Foto: KALLXO.com

Në Gjykatën e Prizrenit shfaqen pamjet e momentit të vrasjes, i akuzuari rri kokulur

Video-incizimet e kamerave që ishin të vendosura afër vendit ku ndodhi vrasja e Shaip Krasniqit janë shfaqur sot përmes projektorit në seancë në Gjykatën e Prizrenit.

Për vrasje të rëndë po gjykohet Sylejman Ahmeti, i cili sipas Prokurorisë shkaku i një mosmarrëveshjeje për një borxh prej 20 euro që i ndjeri ia kishte vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti me “AK-47” ka shtënë tetë herë në drejtim të Shaip Krasniqit.

Në seancën e së enjtes, gjatë transmetimit të video-incizimit me kërkesën e prokurorit Metush Biraj u shfaqën vetëm imazhet e momentit të vrasjes së të ndjerit.

Por, këto pamje dolën të jenë shumë të rënda për gruan e të ndjerit, Kumrije Krasniqi, e cila mes lotëve kërkoi ta braktisë sallën para se të lëshohen CD-të.

Sipas video-incizimit, ngjarja kishte ndodhur në lokalin e Liman Aliut në Maqitevë të Suharekës, ku nga imazhet vërehet momenti kur i ndjeri fillimisht del nga lokali me disa persona dhe me ta bën një bisedë disa minutëshe.

Pas kësaj, vërehet se i akuzuari me shpejtësi del nga dera tjetër e lokalit dhe niset në drejtim të kamionetës së tij për ta marrë armën.

Por, ky moment i shfaqur bëri që prokurori  Metush Biraj të kërkojë përsëritjen e imazheve pasi që sipas tij i akuzuari qëllimisht kishte ndërmarrë aktin e vrasjes.

“Arsyeja pse kërkoj edhe njëherë që të shikohet ky moment është se i akuzuari pas mosmarrëveshjes që ka pasur me të ndjerin, ka pasur kohë të mjaftuar për të reflektuar dhe qetësuar, dhe jo ta marrë aktin që ka ndërmarrë”, deklaroi prokurori Biraj.

Imazhet më tej shfaqën goditjen me armë, e cila u bë nga një distancë e shkurtër rreth 1 metër, ku nga goditja e parë i ndjeri bie në tokë, më pastaj i akuzuari kishte vazhduar edhe disa herë të shtinte mbi të –  rrethana të paraqitura edhe në aktakuzë.

Derisa po shfaqeshin pamjet rreth vrasjes së Shaip Krasniqi, i akuzuari Sylejman Ahmeti qëndronte kokulur në sallë, pa shikuar në monitor.

Foto: KALLXO.com

Lidhur me këto, Nazmi Mustafi, mbrojtës i palës së akuzuar, konsideroi se duhet lëshuar edhe video-incizimet brenda lokalit.

Mirëpo, prokurori Metush Biraj theksoi se nuk ka njohuri nëse brenda në lokal ka pasur kamera dhe në tërësi DVR që ka qenë në lokal ka shkuar në ekspertizë.

Më tej, në gjykimin për vrasje të rëndë është aprovuar propozimi i prokurorit Metush Biraj që të administrohet si provë raporti i ekspertizës së Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike, lidhur me telefonat e tipit “Iphone”- pronë e të ndjerit Krasniqi si dhe telefoni “Samsung Galaxy” – pronë e të akuzuarit Sylejman Ahmetit.

Gjykata gjithashtu aprovoi propozimin e Nazmi Mustafit, avokat mbrojtës i të akuzuarit, që si provë të administrohet alkool-testi si dhe mesazhet e këmbyera mes vëllait të të akuzuarit Nijazi Ahmeti dhe të ndjerit Shaip Krasniqi para se të ndodhte rasti.

Nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Teuta Krusha me anëtarët Raima Elezi dhe Luan Berisha u aprovua propozimi i avokatit Mustafi që të administrohet si provë bishti i sëpatës që e ka pasur në dorë i ndjeri në momentin e vrasjes.

Pasi që nga palët nuk kishte propozime të reja, seancat e radhës janë caktuar për më 26 qershor dhe 12 korrik 2022.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.