Foto: KALLXO.com

Në Gjykatën e Gjilanit nis seanca ndaj 30 prej 35 të arrestuarve gjatë aksionit në Karaçevë

Në Gjykatën e Gjilanit ka filluar seanca gjyqësore ndaj 30 prej 35 të arrestuarve të premten në mbrëmje në Karaçevë të Kamenicës.

Në mesin e 30 të arrestuarve që sot kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake janë edhe disa policë.

Prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri, ka kërkuar nga Gjykata që të arrestuarit për kontrabandë e lojëra të fatit në Karaçevë të dërgohen në paraburgim për një muaj në mënyrë qe të vazhdojnë të hetohen gjatë asaj periudhe.

Ekipe të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë qenë duke përcjellë zyrtarët policorë të arrestuar për ndihmë në kontrabandë dhe në lojëra të fatit në Karaçevë, të cilët sot dolën para Gjykatës në Gjilan.

Ekipet e IPK-së kanë sjellë zyrtarët policorë në Gjykatë.

Gjithashtu jashtë rrethojave të Gjykatës ekipi i KALLXO.com ka parë familjarë të personave të arrestuar në aksionin në Karaçevë.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe zyrtari policor me inicialet F.L., i cili natën e aksionit në Karaçevë ishte arratisur ndërsa dje kishte vendosur që t’i përgjigjej organeve të rendit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për operacionin e prokurorisë, IPK-së, Policisë në lidhje me mbylljen e kazinove në fshatin Karaçevë shumë pak kilometra larg pikës kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Karaçeva është konsideruar një zonë e paprekur nga organet e rendit të Kosovës për shkak që e njëjta është nën mbikëqyrje të KFOR-it por të premten institucionet e Kosovës treguan se kjo zonë nuk është më e paprekshme ndërsa u rrënuan 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale në po këtë zonë.