Në Gjykatën e Apelit nesër pritet të shqyrtohet rasti i vrasjes së Agonis Tetajt

Gjykata e Apelit nesër pritet të mbajë seancën e shqyrtimit të ankesave në lidhje me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Në tetor të vitit 2022 Shaban Gogaj ishte dënuar nga Gjykata e Pejës me 7 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen e Agonis Tetajt.

Gjykata e Pejës kishte bërë rikualifikimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia e 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor.

Për vrasjen e tij po akuzohet Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë.

Lidhur me vendimin e Gjykatës, Prokuroria e Gjilanit kishte dalë me një njoftim se do të ushtrojë ankesë, brenda afatit ligjor, ndaj vendimit mbi dënimin dhe për shkak të ricilësimit juridik.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.

Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.

Prokurori i këtij rasti, Agron Uka, si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e kishte konsideruar të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata kishte marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkuar me zvarritje të shumta.

Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Gjykimi u zhbllokua javë më pas kur avokatja Sabrije Abazi pranoi ta mbronte Gogajn edhe pse ky i fundit nuk e pranonte atë.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.