Foto: Kallxo.com

Në gjykatë për 200 euro të falsifikuara

Në gjykatën e Prishtinës Kushtrim Vuthaj dhe Valbon Xhemajli po akuzohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i parasë.

Pas dhënies së kopjeve të aktakuzës nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Kalludra dhe konstatimit të lexuar të aktakuzës, të akuzuarit Vuthaj dhe Xhemajli deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë.

Meqenëse të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, gjykata i udhëzoi që brenda një afati sa më të shkurtër ligjor ta paraqesin kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në formë të shkruar.

Më 1 shkurt të vitit 2017 në fshatin Sfeçël të Podujevës, i pandehuri Kushtrim Vuthaj, me paratë e falsifikuara të cilat dyshohet se i kishte sjellë nga Shqipëria me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta, ia kishte dhënë të pandehurit Valbon Xhemajlit dy kartëmonedha nga 100 euro.

Dosja e prokurorisë përshkruan se të njëjtën ditë, rreth orës 13:30 në fshatin Surkish të Podujevës, i pandehuri Valbon Xhemajli duke ditur se paratë ishin të falsifikuara i kishte marrë ato nga i pandehuri Kushtrim Vuthaj dhe me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta kishte shkuar në shitoren e Nusret Dobërdolit dhe kishte blerë gjëra të imta.

Kur e kishte kuptuar më pas, shitësi e kishte njoftuar Policinë.

Me këtë prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale falsifikim i parasë.

Seanca e shqyrtimit të dytë u caktua për 20 shkurt.