Në Gjimnazin ‘Gjon Buzuku’ në Prizren strehohen 120 persona nga Shqipëria

 

Një javë pas tërmetit shkatërrimtar në Shqipëri, qyteti kufitar i Kosovës, Prizreni ka pritur mbi 1 mijë e 300 persona që kërkuan strehim.

Komuna e Prizrenit e gjendur në situatë të vështirë dhe në mungesë të hapësirës, e ka shfrytëzuat sallën sportive të Gjimnazit “Gjon Buzuku“ në Prizren, për t`i vendosur rreth 120 persona që i ishin drejtuar Prizrenit në kërkim të strehimit.

Deri te kjo situatë erdhi pasi që ish-baza e KFOR-it gjerman në Prizren kishte përmbushur të gjitha kapacitet dhe aty strehohen më shumë se 500 persona.

Si pasojë e strehimit të 120 personave në sallën e sporteve në Gjimnazin “Gjon Buzuku “, ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj shkolle Jeronim Susuri për KALLXO.com tha se mësimi ishte anuluar ditën e Hënë, kjo për shkaqe sigurie, dhe kjo ditë do të zëvendësohet ditën e shtunë me datë 06 dhjetor.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit anulimi i mësimit për ditën e hënë për shkaqe se personat e ardhur nga Shqipëria ditën e premte ishin në numër të madh, dhe me idenë se të njëjtin do të largohen shpejtë, mirëpo në mungesë të reagimit të qeverisë, Jeronim  Susuri tha se me kryetarin Haskuka dhe drejtoreshën e arsimit morën vendim që mësimi të vazhdonte nga dita e martë.

“Ditën e hënë i kemi ndërmarrë masat që nxënësit të mos kenë kontakt me personat që janë të strehuar në sallën sportive, dhe mësimi po vazhdon pa pengesa“, tha Jeronim Susuri.

I njëjti sqaroi se tashmë personat që ishin të vendosur në sallën sportive kanë filluar të largohen dhe se një autobus ka qenë sot gjatë ditës dhe ka marrë një grup të njerëzve për t`u rikthyer në Shqipëri.

Në sallën sportive të shkollës së mesme “Gjon Buzuku“ po qëndron edhe Policia e Kosovës e cila po e siguron hapësirën, për të mos lejuar që persona tjerë të hyjnë brenda, por as ata që janë të vendosur në sallën sportive nuk lejohen që të largohen nga hapësirat e objektit.

Kryetari i komunës Mytaher Haskuka ka kërkuar ndihmë nga organet qendrore qeveritare dhe agjencitë e specializuara për situata emergjente, sepse Komuna e Prizrenit nuk ka kapacitet dhe fonde emergjente për të zgjidhur situata emergjente si kjo e ditëve të fundit.

Koloneli Faton Alija, Drejtor Rajonal i Policisë në Prizren, kishte njoftuar se Policia e Kosovës po i verifikon të gjithë personat e ardhur në Komunën e Prizrenit që nga data 27 nëntor, për shkaqe të sigurisë.

“Jemi në evidentim të personave të kanë ardhur, kush janë e nga kanë ardhur, sepse kemi dyshimet tona që persona të tillë mund të kenë qëndruar në vende tjera të Kosovës, e me të dëgjuar që ka strehim dhe siguri i janë drejtuar Prizrenit”, ka thënë Koloneli Faton Alija.