Kompania e mbeturinave “Pastrimi” bëhet me gjashtë kamionë të rinj Foto: Anisa Mehmeti | KALLXO.com

Në gjendjen e jashtëzakonshme me bërllokun në Prishtinë, "Pastrimi" bëhet me gjashtë kamionë të rinj

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka pranuar gjashtë kamionë të rinj nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës, të cilët janë blerë nga Komuna, në vlerë prej 1.4 milion eurosh.

Dorëzimi i gjashtë prej tetë kamionëve të blerë nga Komuna e Prishtinës u bë ndërkohë që në Kryeqytet po vijon gjendja e jashtëzakonshme me mbeturinat.

Komuna e Prishtinës bëri pranim-dorëzimin e kamionëve për “Pastrimin”, të enjten, më 06.02.2025, në Parkingun e objektit të ri të Komunës në lagjen “Arbëria”.

Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë, ka thënë se situata me mbeturinat vijon të jetë emergjente.

“Ne e kemi pasë një Raport të përpiluar për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme dhe jemi tani në vlerësim të situatës. Situata emergjente do të vazhdojë derisa të kemi një konstatim se situata nuk është më emergjente.” – tha ai.

Ndërsa, kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica tha se nuk e ka të qartë ende se pse është situata e jashtëzakonshme me mbeturinat në Kryeqytet.

“Në fakt këtë pjesën e gjendjes së jashtëzakonshme a emergjente ende nuk e kam të qartë, por normalisht ne e kemi bërë reagimin tonë publik dhe e kemi njoftuar Drejtorin. Ende nuk e kemi të qartë në çfarë forme është bërë kjo gjendje. Jemi duke i bërë analizat sa ka pasë vonesa të shërbimeve nga Operatori privat. Shumë shpejt do të dalim me një Raport zyrtar.” – tha ai.

Sipas Kryeshefit me kamionët e rinj gjendja do të jetë “300% më e mirë” sa i përket shërbimit.

Ai shtoi se pritet që përdorimi i kamionëve të fillojë nga sot, më 06.02.3035, në ndërrimin e mbrëmjes.

Gjithashtu, ai ka shtuar se po presin edhe miratimim për shpërndarjen e 2 mijë e 500 kontejnerëve të cilët do të kenë lokacion vende të ndryshme në Kryeqytet.

“Ne po presim dritën e gjelbër edhe për shpërndarjen e 2,500 kontejnerëve, në mënyrë që me arrit atë shërbimin e kënaqshëm.” – shtoi Reçica.

Më 03.02.2025, Komuna e Prishtinës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me mbeturinat në Kryeqytet, pasi sipas tyre Kompania “Pastrimi” nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës për menaxhimin e bërllokut.

Si kundërreagim, Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” pretendoi se kryetari i Prishtinës Përparim Rama “po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.

Pak ditë më vonë Komuna reagoi sërish duke deklaruar se qytetarët se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi” nga data 01.01.2025.

Sërish pati kundërpërgjigje nga Kompania “Pastrimi” e cila e dënoi Vendimin e Komunës dhe u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave në Pikat e saj zyrtare.