Në Gjakovë vdes një 36 vjeçar nga COVID-19

Coronavirusi la të vdekur 14 persona brenda 24 orëve, në mesin e tyre është edhe një 36 vjeçar nga komuna e Gjakovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se në Gjakovë kanë vdekur katër persona nga COVID-19, dhe më nga një rast vdekje janë në Podujevë, Prizren, Malishevë, Ferizaj, Mitrovicë, Vushtrri, Shtime, Kaçanik, Kamenicë dhe Suharekë.

“Numri total i rasteve pozitive është 43.324 raste nga 154.084 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.120 raste të vdekjes”, thuhet tutje në njoftim.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.