Bombardimet në Gaza, ilustrim.

Në Gazë të vdekurit po varrosen në oborre, rrugë dhe mbi varre

Varre mbi varre po hapen në varrezat e stërmbushura të Gazës, ku Sa’di Baraka kalon ditët duke gërmuar dheun, duke lëshuar vend për të vdekurit e tjerë.

“Nganjëherë hapim varre mbi varret tjera”, thekson ai për agjencinë amerikane të lajmeve, AP.

Baraka dhe varrmihësit e tjerë vullnetarë në varrezat e Deir al-Balahut e nisin punën me të zbardhur dita për të hapur varre të reja ose për t’i rihapure ekzistueset. Të vdekurit nganjëherë mund të kenë qenë banorë që jetonin me kilometra larg, apo të zonave të tjera të banimit në Gazë, ku varrezat janë shkatërruar ose janë të paarritshme për shkak të situatës.

Varrezat e Barakasë janë shtatëdhjetë vjet të vjetra. Çereku i varreve janë të reja.

Numri i të vdekurve në Gazë prej fillimit të luftës dhjetëmujore ndërmjet izraelit dhe “Hamasit” ka kaluar shifrën prej 40 mijë, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga “Hamasi”. Në këtë shifër nuk ndahet civilët prej militantëve.

Rripi i vogël, i populluar deng, tani është mbushur me trupa të pajetë.

Janë në morge dhe në varreza të stërmbushura. Familjet, duke u larguar turravrap nga shtëpitë për të shpëtuar prej ofensivave, i varrosin të vdekurit kudo që munden: në oborre, parkingje, poshtë shkallëve e përgjatë rrugëve, kanë thënë dëshmitarët dhe shihet në pamje, shkruan AP. Trupa të pajetë mbesin edhe në gërmadha, me familjet që nuk janë të sigurta nëse ata do të evidentohen në listën e të vdekurve.

Numri në ngritje i vdekjeve që nga tetori llogaritet se ka marrë jetën e së paku 2 për qind të popullsisë së Gazës para luftës. Zyrtarët e shëndetësisë dhe punëtorët e mbrojtjes civile thonë se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë më i lartë për mijëra sosh, përfshirë trupat e pajetë nën rrënoja, që sipas Kombeve të Bashkuara peshojnë 40 milionë tonelata.

“Duket”, ka shkruar autori palestinez, Yousri Alghoul, nga Instituti për Studime të Palestinës, “se fati i Gazës do të kthehet në një varrezë të madhe, me rrugët, parqet dhe shtëpitë, ku të gjallët në fakt janë të vdekur që presin radhën e tyre”.

Izraeli nisi sulmet në Gazë pasi militantët e udhëhequr nga “Hamasi” sulmuan matanë kufirit izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe marrë peng 250 të tjerë. Izraeli kërkon shkatërrimin e “Hamasit” dhe pretendon se sulmet po i kryen kundër militantëve. Fajëson “Hamasin” për vdekjet e civilëve, duke theksuar se militantët operojnë prej lagjeve të banueshme me tunele nëntokësor . Luftimet kanë lënë të vrarë 329 ushtarë izraelitë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com