'Në garë' për presidentin

Partitë politike në Kosovë kanë shprehur qëndrimet e tyre sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, nga 5 nëntori detyrën e presidentes është duke e ushtruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.

Ndërkohë, partitë e koalicionit kanë paralajmëruar një takim për javën e ardhshme për të diskutuar për këtë çështje.

Megjithëkëtë, disa nga subjektet politike kanë shfaqur ambiciet që emri i presidentit të vijë nga radhët e tyre.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që t’u bëjë ftesë subjekteve politike për të diskutuar për postin e presidentit.

“Ne duhet të ulemi së bashku me partitë opozitare, që duan të vijnë. Ne do t’i ftojmë edhe PDK-në dhe LVV-në dhe do të bisedojmë se cila është mundësia për me zgjedh presidentin”, tha ai.

Mustafa ka folur edhe rreth mundësisë për shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Në qoftë se PDK nesër thotë se nuk jam i interesuar fare, ne duhet atëherë me u bë gati. Në qoftë se me LVV-në ulemi dhe deklarohemi dhe japin opsionet e tyre për presidentin. Atëherë unë nuk them që zgjidhjen e kryejmë me një takim, por që krijojmë kushte që me vazhdu me takime dhe vijmë në një zgjidhje. Në qoftë se zgjidhjen nuk e gjejmë tani, nuk jam i sigurt që do ta gjejmë pas zgjedhjeve, sepse nuk do të kemi një shumicë parlamentare”, u shpreh Mustafa në një television vendor.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka ndarë mendjen muaj më parë që kandidati i tyre për president të jetë Ramush Haradinaj, aktualisht kryetar i kësaj partie politike.

Synimin për pozitën e kreut të shtetit e ka bërë publik edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

I pyetur nga KALLXO.com për këtë çështje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj tha në një konferencë për media, se tashmë kanë diskutuar për pozitën e presidentit të Kosovës.

Hoxhaj ka theksuar nuk kanë vota për asnjë kandidat tjetër që nuk vjen nga PDK.

“Ne kemi debatuar në PDK këtë çështje. PDK është në opozitë dhe mbetet në opozitë, por janë tema të karakterit nacional. Presidenti i cili zgjidhet në Kuvendin e Kosovës nuk është vetëm i PDK por edhe i opozitës dhe qytetarëve. Prandaj nëse ka kërkesa nga Qeveria që ta marrin mbështetjen e PDK ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë, por në atë rast kur kërkohen votat e PDK-së edhe kandidati duhet të jetë i PDK-së”, tha Hoxhaj të mërkurën.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje duke kërkuar më ngulm mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, ka deklaruar se presidenti mund të zgjedhjet pasi të zgjedhet qeveria e re.

Kreu i LVV-së dhe ish-kryeminsitri Albin Kurti pati thënë se konsiderojnë që nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet.

“Presidenti ose presidentja e re duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushte kur kemi qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e sjelljes së presidentit. Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, pra nuk është e zbrazët ajo karrige. Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi një president të ri”, kishte theksuar Kurti.

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, institucionet e Kosovës do të duhet të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit brenda gjashtë muajve, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se presidenti i vendit nuk duhet të ushtrojë ndonjë funksion tjetër politik si dhe duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.