Në fund të gjykimit, prokurori tërhiqet nga akuzat për vjedhje

Në seancën e fundit në gjykimin e dy personave të akuzuar për për vjedhje, vjedhje të rëndë, dhe vrasje të rëndë në tentativë, prokurori i rastit u tërhoq nga akuzat për njërin të akuzuar.

Para gjykatësit në Gjilan kanë dalur Fikret Rama dhe Jeton Krasniqi, të cilët nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohen për disa vepra penale.

Në këtë rast është i përfshirë edhe Fatos Hoxha mirëpo gjykata në shqyrtimet e kaluara gjyqësore e ka veçuar procedurën penale ndaj tij dhe ka lëshuar letërreshtim ndërkombëtar pasi që i njejti sipas gjykatës është i paarritshëm.

Fikret Rama akuzohet për vjedhje dhe vjedhje të rëndë, akuza këto, nga të cilat heqi dorë prokurori Shaban Spahiu.

Spahiu  duke e elaboruar fjalën përfundimtare tha se heq dorë nga dispozitivi I dhe II i aktakuzës që përfshin të akuzuarin Fikret Rama, sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprat penale që i ngarkohen sipas aktakuzës.

Pasi prokurori Spahiu u tërhoq nga akuza për të akuzuarin Fikret Rama, kryetari i trupit gjykues Agim Ademi, mori aktvendim me të cilin e refuzoi akuzën ndaj të akuzuarit Rama.

Ndërsa, për të akuzuarin tjetër Jeton Krasniqi, i cili përveç rasteve të vjedhjeve akuzohet edhe për tentim vrasje të rëndë, prokurori Spahiu tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës.

“I propozoj Gjykatës që i akuzuari Jeton Krasniqi të shpallet fajtor dhe të dënohet me një dënim meritor sipas ligjit”, përfundoi prokurori Spahiu.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Krasniqi, avokati Rrustem Latifaj, tha se nuk është vërtetuar me asnjë provë se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet, dhe në mungesë të provave kërkoi nga gjykata që të marrë aktgjykim lirues.

Aktgjykimi për të akuzuarin tjetër Jeton Krasniqi do të shpallet më 2 mars.

Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare të prokurorisë,të akuzuarit Fikret Rama Jeton Krasniqi dhe Fatos Hoxha në bashkëveprim më datë 09 maj 2016 në fshatin Berivojcë-Kamenicë ia kanë marrë tabelat e regjistrimit të veturës të dëmtuarit B.D.

Të akuzuarit në këtë çështje akuzohen edhe për veprën penale vjedhje e rëndë sepse me datën 09 maj 2016 në Gjilan, ia kanë vjedhur çantën të dëmtuarës M.F dhe i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 3000 franga dhe 150 euro.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, në datën e njëjtë i akuzuari Jeton Krasniqi ka tentuar t’i vrasë të dëmtuarit L.T, K.SH dhe F.Z pjesëtarë të policisë së stacionit policor në Gjilan, ashtu që këta të fundit ishin në patrullim dhe pasi që i kishin dhënë shenjë të akuzuarit Jeton Krasniqi për të ndaluar veturën i njëjti e kishte rritur shpejtësinë duke tentuar t’i godasë me veturë.