Foto: Facebook/Agim Bahtiri

Në Frashër po ndërtohen 91 shtëpi për familje pa strehë dhe në gjendje jo të mirë ekonomike

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka njoftuar se në fshatin Frashër po ndërtohen 91 shtëpi për kaq familje mitrovicase që nuk kanë strehim dhe jetojnë në kushte jo të mira ekonomike.

Sipas Bahtirit, ndërtimi i këtyre shtëpive është rezultat i dy marrëveshjeve me bashkëfinancim mes Komunës së Mitrovicës, Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe “Djemtë e Mitrovicës” për ndërtimin e 51 shtëpive, si dhe marrëveshjes tjetër me organizatën “Qatar Charity” për 40 shtëpi, një shkollë, një ambulancë, katër lokale afariste, një xhami, si dhe një objekt për nevojat e investitorit “Qatar Charity”.

Për realizimin e këtyre projekteve madhore, Komuna e Mitrovicës ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë, ka marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje, si dhe ka shpallur konkurset publike ku janë përzgjedhur familjet përfituese në bazë të kritereve të përcaktuara me ligj.