"Në fillim ishte katrahurë": Menaxheri i karantinës në Qendër të Studentëve flet për organizmin dhe procedurat që u ndoqën aty

Valdet Hashani, ish menaxher i Karantinës te Qendra e Studentëve, që ishte improvizuarsi vend për vet-izolim prej dy javëve për të gjithë të ardhurit nga vendet jashtë Kosovës sot para komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë ka ndarë detaje lidhur me organizimin e kësaj qendre.

Mimoza Kusari Lila si kryesuese e Komisionit kërkoi nga Hashani që të ndajë me ta detajet e organizmit dhe kompetencat që ka pasur ai në atë qendër.

Hashani tha se si fillim nuk ka pasur përshkrim të detyrave të punës dhe se i është dashur të riorganizojë shumë gjëra.

“Sa i përket procedurës si fillim nuk kam pas asnjë përshkrim të detyrave të punës, kam shkuar si një ushtar në luftë që nuk ka ditur çfarë është plumbi. Në javën e parë na është dashur të riorganizojmë vetë sepse ka pasur një katrahurë, janë liruar njerëz ose janë mbajtur gra shtatzëna me 3-4 fëmijë pa i ditur propozimet dhe rekomandimet e IKSHP,” tha Hashani.

Tutje ai tregoi edhe mënyrën se si janë sjellë në këtë qendër personat e ardhur nga jashtë dhe procedurat që janë ndjekur në pika kufitare.

“Të karantinuarit të cilët kanë hyrë në pikat kufitare qoftë tokësore ose ajrore kanë ardhur në karantinë përmes autobusëve të FSK-së, ka pasur edhe të tillë që kanë ardhur me vetura të cilët po ashtu janë karantinuar dhe pas lirimit janë përcjellur me polici deri në shtëpi. Në karantinë kanë qenë personat të cilët në pika kufitare kanë bërë kontrolle mjekësore prej ekipeve të mjekësisë familjare dhe IKSHP, pa këto dy dokumente askush nuk ka hyrë në karantinë. Personat që kanë hyrë në vijën tokësore ose ajrore, kanë qenë atje ekipet mjekësore sepse ashtu është rregulluar me ligj, por edhe nëse kanë ardhur te ne në karantinë dhe nuk kanë poseduar fletë e mjekut, ne prapë askënd nuk e kemi futur pa këty dy fleta,” ka shtuar tutje Hashani.

Sipas Hashanit përmbajtja e raportit të lëshuar në pika kufitare ka pasur një pyetësor ku përveç të dhënave të përgjithshme janë marrë edhe simptomet që ka manifestuar në ditën e pranimit personi, nëse një prej simptomave e ka manifestuar atëherë ai person është kontrolluar edhe nga ekipi mjekësor. Nëse nuk kanë manifestuar simptoma kanë qenë tre rekomandime referimi për izolim shtëpiak dy javor, referimi për në spital( nëse ka pasur nevojë) dhe qëndrim në kamp i cili u reduktua në një javë pas rastit tragjik të Agon Musliut.

Më datë 18 mars qeveria e Kosovës mori vendim që qendra e studentëve të shndërrohej në karantinë për të ardhurit nga vendet jashtë Kosovës si masë mbrojtëse për parandalim të përhapjes së virusit COVID-19.

Konviktet e Studentëve në Prishtinë shndërrohen në karantinë