Në Evropën Qendrore ngrihen shqetësime mbi algoritmet e “Amazon”

Sindikatat po dalin kundër menaxhimit algoritmik në magazinat Amazon në Evropën Qendrore, me njëfarë suksesi.

Ashtu si shumë banorë të Mostit, një ish-qytet minierar pranë kufirit veriperëndimor të Çekisë me Gjermaninë, Michaela Máková po haste probleme financiare.

Për 25 vjet me radhë, Máková kishte bërë një sërë punësh të ndryshme me pagesë të ulët nga punonjëse furre në punonjëse në një zyrë postare – dhe borxhet e saj si nënë beqare vetëm ishin shtuar.

Një në pesë njerëz në Most përballet me vështirësi të mëdha financiare, papunësia është dyfishi i mesatares kombëtare, rezultat i kolapsit gradual të industrisë së rëndë, veçanërisht minierave të linjitit rreth të cilave Mosti modern u ndërtua në vitet 1970.

Kështu, kur Amazon hapi një dyqan në periferi të kryeqytetit, Pragës, në vitin 2015, shumë banorë të Mostit nxituan të aplikonin. Norma e pagesës prej 6.5 euro për orë, gatishmëria e Amazon për të anashkaluar kreditë e këqija kur merr në punë dhe oferta e transportit falas nga dhe për në punë ishte kompensim i mjaftueshëm për rrugën prej 160 kilometrash të gjatë që duhej bërë çdo ditë. Máková, 53 vjeçe, iu bashkua në 2017.

Tre vjet më vonë, në gusht 2020, Amazon përfundoi kontratën e saj, duke përmendur humbjen e aftësisë mjekësore. Máková kishte filluar të ndiente dhimbje dhe mpirje në duart e saj, rezultati, thotë ajo, i lëvizjeve të përsëritura gjatë një periudhe të zgjatur që përfshinte paketimin e 2000 pakove vetëm në një turn që zgjaste 10 orë.

Ritmi me të cilin ajo punonte monitorohej nga një kompjuter që i tregonte asaj saktësisht se ku të gjente secilin produkt, pjesë e menaxhimit algoritmik që është bërë standard në magazinat e drejtuara nga gjiganti i teknologjisë amerikane, ndërsa ky i fundit garon për të kënaqur kërkesën e blerësve online.

Në prill 2021, Máková operoi krahun e saj të djathtë për të liruar presionin nervor nga kyçi i dorës/  Dy muaj më vonë, Autoriteti i Higjienës i Rajonit Qendror Bohemik të Çekisë vendosi që Amazon ishte përgjegjëse për lëndimin e saj, duke i dhënë asaj të drejtën për të kërkuar kompensim.

Amazon nuk e komentoi drejtpërdrejt rastin e Máková, por një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha BIRN: “Siguria është pjesë integrale e gjithçkaje që bëjmë në Amazon, çdo ditë, në çdo operacion.”

Máková, megjithatë, kujtoi presionin për të pasur performancë të mirë në punë kryer dhe konfuzionin mbi mënyrën se si “menaxhimi algoritmik” i Amazon e vlerësoi atë.

“Është presion i madh të të duhet të bësh gati 500 porosi në orë ose të paketosh 150 deri në 250 kuti”, tha ajo për BIRN. “Nuk e kuptonim se si funksiononte sistemi i vlerësimit. Ai bazohej në një lloj mesatareje. Disa herë në ditë, ne merrnim një vlerësim ku menaxheri na thoshte se duhet të punonim më shpejt.”

Është nga ai lloj presioni që po bëhet normë.

Qendrat logjistike po lulëzojnë në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke zënë aktualisht gati 40 milionë metra katrorë tokë në Çeki, Poloni, Sllovaki, Rumani dhe Hungari. Ato simbolizojnë, sipas Daniel Šitera, një studiues në Institutin e Pragës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, “zhvendosjen e kapitalizmit drejt ekonomisë digjitale”.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë tre dekada më parë, rajoni u bë një magnet për prodhuesit kryesorë perëndimorë të joshur nga vendndodhja e tij, një bollëk punëtorësh të lirë dhe rregulla pune më pak kufizuese sesa në Evropën Perëndimore.

Gjigantët teknologjikë të ekonomisë digjitale nuk janë ndryshe, tha Šitera. Dhe ardhja e tyre ka sjellë me vete Inteligjencën Artificiale dhe menaxhimin algoritmik, me pasoja për shëndetin fizik dhe psikologjik të punonjësve që tani po fillojnë të kuptohen.

Sindikatat, megjithatë, po luftojnë. Dhe ato kanë pasur sukses.

Rregulla sipas algoritmit

Termi menaxhim algoritmik përshkruan një lloj menaxhimi ku punëtorët drejtohen, vlerësohen dhe disiplinohen nga algoritmet – dhe jo nga shefat e tyre – bazuar në të dhënat e mbledhura më parë për sjelljen e tyre.

Sipas studimit “Algoritmet në punë: Terreni i ri i kontestuar i kontrollit”, botuar në vitin 2020 nga Academy of Management Annals, kontrolli algoritmik në vendin e punës është gjithëpërfshirës në një shkallë të paprecedent, duke i lejuar menaxherët të dinë në çdo kohë se çfarë janë duke bërë punëtorët, ku dhe sa shpejt.

Por kjo mund të çojë në zhgënjim, pasiguri dhe armiqësim të punëtorëve, të cilët shpesh nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe pse dhe bëhen plotësisht të varur nga kompjuterët, telefonat ose skanerët e tyre.

Menaxhimi algoritmik përshkruhet nga autorët si një pasardhës i drejtpërdrejtë i menaxhimit teknik ku punëtorët “mbyllen” në pozicione të caktuara në procesin e punës dhe ritmi i tyre i punës diktohet nga makineritë (p.sh. linjat e montimit).

Ndërsa menaxhimi algoritmik është gjithnjë e më popullor në punë të llojeve të ndryshme (për shembull, call center, në shpërndarjen e ushqimit, shërbimet e taksive), rrjeti i magazinave të Amazon është një shembull se si menaxhimi algoritmik mund të përdoret në logjistikë.

“Askush nuk të thotë saktësisht se si funksionon”

Shumica dërrmuese e punëtorëve çekë dhe polakë të Amazon – “bashkëpunëtorë” në zhargonin e kompanisë – i marrin urdhrat e tyre të punës ose nga një skaner ose nga një kompjuter, duke përshpejtuar procedurat në magazinat e mëdha që ruajnë një gamë të gjerë produktesh.

Çdo artikull dhe çdo raft ka një kod unik, të cilin punonjësit e skanojnë. Akti i skanimit të një artikulli teorikisht bën të mundur që Amazon të gjurmojë jo vetëm lëvizjen e mallrave, por edhe punonjësit e saj.

Përveç udhëzimit të punëtorëve nëpër magazina, softueri gjithashtu ka një funksion vlerësimi dhe reagimi të mishëruar në “metrikën e produktivitetit” të Amazon, të njohur si ADAPT, ose Associate Development and Performance Tracker.

Në praktikë, kjo do të thotë që punonjësit vlerësohen çdo javë nga ADAPT, dhe nëse nuk arrijnë atë që u kërkohet, ata marrin një paralajmërim dhe trajnim. Pas tre paralajmërimeve të tilla, Amazon ose kërkon që ata të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimi reciprok ose mund t’i shkarkojë ata në mënyrë të njëanshme, sipas punonjësve, ish-punonjësve dhe dokumenteve gjyqësore që BIRN ka analizuar.

Pak dihet publikisht se si llogariten kuotat e ADAPT.

Sipas rregulloreve të brendshme të kompanisë nga 2015 të paraqitura në gjykatën e rrethit në qytetin perëndimor polak Poznan në 2016, secili punonjës vlerësohet në lidhje me frekuentimin, cilësinë e punës dhe arritjen e niveleve minimale të produktivitetit bazuar në rezultatet e 90 për qind të punonjës gjatë katër javëve të mëparshme.

Máková nuk është e vetmja që po përpiqet të kuptojë se si funksiononte çdo gjë dhe për këtë arsye se çfarë pritej nga ajo.

Një punonjës tjetër çek i Amazon tha për BIRN: “Askush nuk ju thotë saktësisht se si funksionon, që është frustruese. Ndonjëherë mendon se po punon mirë dhe pastaj zbulon se nuk është kështu.”

“Menaxherët dhe instruktorët të japin këshilla se si të përmirësohesh, por këto shpesh nuk funksionojnë. Kuptova që edhe ata thjesht hamendësojnë se si ta bëjnë sistemin të funksionojë për ty.”

Mënyra se si dhe sa lëviz një punonjës nëpër magazinë varet nga skaneri dhe varion nga pozicioni. Ata që magazinojnë mallrat në hyrje i vendosin ato në rafte kudo ku ka hapësirë.

Marrësit e mallrave udhëzohen nga skanerët se ku duhet të shkojnë saktësisht dhe sa kohë do t’u duhet atyre për të marrë një artikull, duke garuar me një numërim mbrapsht në cep të ekraneve të tyre. Ata që mbledhin dhe paketojnë mallra, si Máková, qëndrojnë në një vend dhe marrin udhëzime nga një kompjuter. Nëse ata kanë nevojë për një pushim për të shkuar në tualet, duhet të gjejnë një zëvendësues/e.

Disa punëtorë, si ata që ngarkojnë kamionë, nuk i nënshtrohen ADAPT. Por ata duhet të ngarkojnë të gjitha mallrat e dërguara nga kolegët e tyre të udhëhequr nga ADAPT.

Kontratat e punës të Amazon në Çeki dhe Poloni – të cilat BIRN i ka parë – nuk përcaktojnë pozicionin e saktë të një punëtori, duke e lejuar kompaninë të ndërrojë punëtorët në varësi të nevojave. Disa nga ata me të cilët BIRN foli thanë se kjo metodë për të ndërruar pozicionet e punëtorëve mund të abuzohet.

“Nëse menaxheri nuk të ka qejf, ai të vë në një pozicion ku nuk je në gjendje të përmbushësh kuotat, sistemi të jep tre paralajmërime dhe pastaj të përjashton automatikisht”, tha Ivo Mayer, president i sindikatës së magazinave Dobrovíz në Qendrën Logjistike të Amazon pranë Pragës.

Por kjo mund të ketë gjithashtu avantazh. “Kur ke marrëdhënie të mira me menaxherin tënd, ai mund të të vendosë në një departament tjetër që nuk i kushton shumë vëmendje kuotave”, tha një ish-drejtues ekipi në Dobrovíz i cili nuk pranoi të përmendej me emër.

E pyetur për sistemin ADAPT, Amazon i tha BIRN:

“Ashtu si shumica e kompanive, ne kemi një sistem në Amazon që njeh performancën e shkëlqyer dhe gjithashtu inkurajon trajnimin për t’i ndihmuar punonjësit të përmirësohen, nëse ata nuk po përmbushin qëllimet e tyre të performancës.”

“Metrikat e performancës vlerësohen rregullisht dhe ndërtohen në standarde bazuar në historinë aktuale të arritshme të performancës së punonjësve. Ne analizojmë performancën që vendosin natyrshëm bashkëpunëtorët dhe pastaj caktojmë standarde duke u nisur që aty, me një fokus dhe duke pasur në mendje sigurinë.”

“Së dyti, performanca matet dhe vlerësohet për një periudhë të gjatë kohore, pasi e dimë se një sërë gjërash mund të ndikojnë në aftësinë për të përmbushur pritshmëritë në çdo ditë ose orë të caktuar – kjo do të thotë që bashkëpunëtorët nuk do të trajnohen pasi kanë pasur vetëm një ditë të vështirë…”

I pyetur në mënyrë specifike në lidhje me ankesat se ndryshimi i pozicioneve të punës të një punonjësi mund të abuzohet, Amazon tha se objektivi i saj ishte “të punësojë dhe rualë talente – jo e kundërta”.

“Ne i mbështesim njerëzit që nuk performojnë në nivelet e pritura prej tyre, duke u ofruar trajnim të përkushtuar për t’i ndihmuar ata të përmirësohen.”

Zgjerimi në Evropën Qendrore dhe Lindore

Amazon hapi qendrën e parë dhe të vetme çeke të përmbushjes në Dobrovíz pranë Pragës në vitin 2015, duke punësuar 3,000 punëtorë të përhershëm. Mbështetëse e e zgjerimit të Amazon në Evropën Qendrore dhe Lindore është Polonia fqinje, ku Amazon aktualisht ka të punësuar 18,000 njerëz në nëntë magazina, drejton një qendër zhvillimi në Gdansk dhe hapi një faqe lokale tregtie online në fillim të vitit 2021. Depot çeke dhe polake të Amazon u themeluan kryesisht për t’i shërbyer tregut gjerman.

Pikëpyetje mbi ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave

Deri më tani, ka qenë fuqia e sindikatave dhe niveli i privatësisë dhe rregullimit të punës që kanë përcaktuar dallimet në produktivitetin e Amazon dhe praktikat e monitorimit në vende të ndryshme.

Avokati Michal Sobol tha se sipas Kodit polak të Punës, përfundimet e njëanshme të kontratave të punës kërkojnë baza të vërteta, të arsyeshme dhe nuk mund të lidhen me rezultate specifike produktiviteti.

Në Çeki, arsyet për të cilat një kompani mund të shkarkojë një punonjës nga puna përcaktohen qartë në ligj. Për shkak se nuk ka një referencë specifike për “produktivitetin”, Amazon mund të citojë “rezultate të pakënaqshme pune”, “shkelje të disiplinës” ose, si në rastin e Máková, “humbje të aftësisë mjekësore” në justifikimet e saj për përfundimin e njëanshëm të kontratës.

Nëse një punonjës me tre paralajmërime nga ADAPT pranon të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe të përfundimit të kontratës së punës, Amazon nuk ka nevojë të japë ndonjë justifikim. Ata që janë punësuar përmes agjencive ose me kontrata të përkohshme gjithashtu mund të pushohen nga puna pa ndonjë justifikim të nevojshëm.

Në nivel evropian, mjeti më i fuqishëm ligjor në dispozicion për të frenuar menaxhimin algoritmik është aktualisht Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave, GDPR, e cila përcakton që mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale duhet të ketë një bazë të ligjshme, të krijuar ose me pëlqimin e subjektit të të dhënave ose me dëshmi të një interesi legjitim pas një përpunimi të tillë.

Amazon thotë se kompania mbledh të dhëna nga skanerët vetëm për të monitoruar lëvizjen e mallrave dhe për të siguruar produktivitetin e punëtorëve. “Ne definitivisht nuk monitorojmë lëvizjen e punëtorëve”, tha Miroslava Jozová, zëdhënëse e Amazon për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Megjithatë, kompania nuk di vetëm se ku ndodhen artikuj të caktuar, por edhe se kush i vendosi ata artikuj atje dhe kur. Sipas ish-drejtuesit të ekipit i cili foli në kushte anonimiteti, personat që bëjnë punën që bënte dikur ai mund të gjurmojnë lëvizjen dhe produktivitetin e punëtorëve si në kohë reale ashtu edhe në mënyrë retrospektive. Punonjësit e tjerë të Amazon me të cilët foli BIRN thanë se kishin ndjesinë sikur ishin nën mbikëqyrje.

Për të qenë në përputhje me kërkesat e GDPR-së, Amazon kërkon që të gjithë punonjësit e rinj të nënshkruajnë një njoftim për privatësinë. Por kjo nuk është e negociueshme dhe autoriteti çek i mbrojtjes së të dhënave, ÚOOÚ, ka vënë në dyshim nëse ai garanton bazë të mjaftueshme ligjore për përpunimin e të dhënave.

“Sipas Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, është e pamundur që një punonjës të mund të refuzojë lirisht kërkesat e përpunimit të të dhënave të punëdhënësve të tij”, tha ÚOOÚ për BIRN. “Pëlqimi i punonjësve nuk duhet të përdoret si bazë ligjore për përpunimin e të dhënave në kontrata.”

Amazon nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse punonjësit e rinj mund të refuzojnë të nënshkruajnë politikën e privatësisë.

As ÚOOÚ dhe as Inspektorati Çek i Punës nuk kanë hedhur një vështrim më të thellë në ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave në Amazon çek pasi ende nuk është bërë asnjë ankesë. Në Poloni, një ankesë e GDPR e paraqitur nga sindikata Inicjatywa Pracownicza, e cila pretendon se Amazon po profilizon në mënyrë të paligjshme punëtorët e saj, është aktualisht para autoritetit të mbrojtjes së të dhënave të Varshavës.

Punëtorët në “garë de facto” me njëri-tjetrin

Përpjekjet e Inicjatywa Pracownicza ilustrojnë rolin kryesor që sindikatat mund të luajnë në frenimin e kompanive si Amazon.

Vitin e kaluar, sindikata polake fitoi një çështje në emër të anëtarit të saj dhe një ish-punonjësi të Amazon, Maciej Gorajski, i cili iu bashkua kompanisë në Sady pranë Poznanit në vitin 2014, por u pushua nga puna në 2016. Amazon, sipas dokumenteve të gjykatës, fajësoi rezultatet e ulëta të produktivitetit. IP shkoi në gjykatë, duke argumentuar se shkarkimi shkel ligjin polak të punës.

Në vitin 2019, gjykata e rrethit në Poznan vendosi në favor të Gorajski, duke vendosur se sistemi ADAPT ishte “shumë i pafavorshëm për punonjësit” dhe për këtë arsye, “përfundimi i marrëdhënies së punës duhet të konsiderohet i paligjshëm”.

“Ky sistem krijon një garë de facto midis punëtorëve që duan të shmangin rezultatet nën mesataren”, vendosi gjykata. Ai tha se norma minimale e prodhimit e vendosur nga Amazon “nuk është një konstante e njohur për punonjësin dhe nuk i garanton atij sigurinë e performancës së duhur të nevojshme për të ruajtur punësimin”.

Gjykata tha gjithashtu se sistemi i vlerësimit të Amazon nuk merrte parasysh kur punëtorët arrinin objektiva mbi kuotën minimale. Vendimi i shkallës së parë u konfirmua nga gjykata rajonale në Poznan në vitin 2020.

Gorajski nuk u kthye kurrë në Amazon, por rasti i tij ishte një fitore e rëndësishme për IP. Sipas sindikatës, në Poloni, punonjësit e Amazon me kontrata të përhershme tani mund të punojnë me ritmin e tyre pa pasur nevojë të shqetësohen për ADAPT. Amazon nuk u përgjigj drejtpërdrejt kur iu kërkua ta konfirmonte këtë.

“Sigurisht, disa punonjës tremben nga menaxherët që u thonë se duhet të punojnë më shpejt, por nëse ata janë me kontratë të përhershme, Amazon nuk mund t’i pushojë ata nga puna”, tha punonjësja e magazinës së Amazon në Sady, Agniezska Mróz.

Mróz, megjithatë, vlerësoi se pauza e ADAPT vlen vetëm për 25 për qind të punonjësve të Amazon me kontrata të përhershme. Të tjerët mund të pushohen nga puna për produktivitet të ulët.

Pa ADAPT, Mróz tha se Amazon polak i ishte kthyer programit të ashtuquajtur Time-off-Task që mbledh të gjitha sekondat kur një punëtor nuk po skanon artikuj. Shumë “pushim” mund të çojë në ndëshkim. Mayer nga magazina çeke në Dobrovíz tha gjithashtu se Amazon përdorte Time-off-Task si një metrikë që funksionon paralelisht me ADAPT.

“Problemi është se Amazon thjesht supozon se rri kot kur ti je duke folur me menaxherin tënd ose je duke vjell në tualet”, tha Mróz.

Amazon e mohoi këtë, duke i thënë BIRN: “Performanca matet vetëm kur një punonjës është në stacionin e tij dhe është loguar në sistem për të kryer punën e tij. Nëse një bashkëpunëtor del nga sistemi, gjë të cilën ata mund ta bëjnë në çdo kohë, matësi i performancës ndalohet. Kjo do të thotë se nëse një bashkëpunëtor duhet të largohet nga vendi i tij i punës për të larë duart, për të mbushur ujë, për të folur me një menaxher ose për të përdorur tualetin, e për shumë arsye të tjera, ai/ajo mund ta bëjë këtë pasi të ketë dalë nga sistemi, pa ndikuar në performancën e tij/saj.”

Në qershor, kompania tha se do të fillonte të gjente mesataren e kohës së matur me Time-off-Task për një periudhë më të gjatë.

Ku kanë shkuar të gjitha të dhënat?

Një pyetje kryesore në lidhje me menaxhimin algoritmik në Amazon është se ku ruhen dhe përpunohen të dhënat e punonjësve dhe nëse ato janë në përputhje me rregulloret e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, veçanërisht GDPR-së, dhe një vendim të korrikut 2020 nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë që zhvleftësoi të ashtuquajturën mburojë privatësie BE-SHBA që lejon transferimin e të dhënave personale nga BE-ja në SHBA.

Luxembourgish National Commission for Data Protection, CPND, i tha BIRN se Amazon i ndan të dhënat personale me selinë e saj në SHBA në bazë të të ashtuquajturave klauzola standarde kontraktuale. Klauzolat standarde kontraktuale nuk u shfuqizuan nga rasti Schrems II. Megjithatë, ata duhet të garantojnë mbrojtje adekuate të të dhënave personale në SHBA. Kjo mund të rishikohet individualisht nga autoritetet mbikëqyrëse kombëtare dhe të pezullohet nëse një mbrojtje e tillë nuk mund të sigurohet. CPND, e cila mbikëqyr selinë evropiane të Amazon, nuk i ka riparë klauzolat standarde të sigurisë të Amazon në lidhje me të dhënat e punëtorëve që nga rasti Schrems II. Pas zbulimeve të fundit të Politico në lidhje me mbrojtjen e të dhënave të klientëve të Amazon, CPND është kritikuar se është treguar shumë e butë kundrejt Amazon dhe gjigantëve të tjerë të teknologjisë që mbikëqyr. Megjithatë, në korrik 2021, CPND i kënaqi kritikët e saj kur e goditi Amazon me një gjobë fillestare prej 746 milionë eurosh për keqpërdorimin e të dhënave të klientëve në reklamat e synuara.

Në politikën e privatësisë të paraqitur për kandidatët për punësim, Amazon thotë se i ndan të dhënat personale me një listë anëtarësh të Amazon, duke përfshirë edhe degët evropiane dhe amerikane të Amazon Web Services dhe “subjektet e shërbimeve të përbashkëta”, përfshirë një degë të quajtur Amazon Data Services Republika Çeke.

Amazon Data Services Republika Çeke u krijua në vitin 2014. Që atëherë, sipas pasqyrave të saj financiare, ajo nuk ka pasur asnjë punonjës me rrogë. Drejtori ekzekutiv i saj, z. Petr Lulák, drejton një kompani të specializuar në krijimin e personave juridikë të gatshëm, përfshirë parajsat tatimore. Aktualisht, ai ka role në bordet ekzekutive të firmave të shumta. Nuk qe e mundur që ai të kontaktohej për një koment në lidhje me përfshirjen e tij në Amazon Data Services Republika Çeke. Zëdhënësi i  Amazon Web Services për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Belle, nuk komentoi drejtpërdrejt për rolin e Amazon Data Services Republika Çeke në trajtimin e të dhënave personale të punëtorëve.

Pjesë e kulturës

Çdo efekt që sindikatat mund të kenë në mënyrën se si Amazon përdor menaxhimin algoritmik mund të ketë një efekt të valëzuar në kompanitë e tjera në rajon.

Në fakt, menaxhimi algoritmik i Amazon, edhe pse i sofistikuar, është pjesë e një kulture pune që ka ekzistuar për ca kohë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe që ka të ngjarë të përvetësohet nga kompanitë në zhvillim të tregtisë elektronike që operojnë në rajon.

Industria e automobilave, shtylla kryesore e ekonomisë çeke dhe një punëdhënës jetësor në të gjithë rajonin, ka punuar prej kohësh sipas praktikave të “menaxhimit të dobët” ose “parimit fiks në kohë”, e qëllim reduktimin e mungesës së efikasitetit dhe vonesave. Menaxhimi teknik, ku lëvizja dhe ritmi diktohen nga linjat e montimit, është i domosdoshëm në këtë industri.

“Me rripa transportues, menaxhmenti gjithashtu e di se ku jeni, gjatë gjithë kohës”, tha Sebastiano Lora, një ish-punonjës i Amazon i cili aktualisht punon në logjistikë.

Gazetari Saša Uhlová, i cili kaloi gjashtë muaj duke punuar në punë me pagesë të ulët, i pajisur me një kamera me projektin e tij të vitit 2018 “Limitet e punës”, tha se si në Amazon, presioni i kohës ishte konstant dhe shpesh kundërproduktiv në këto lloj pune.

“Ka një kulturë vetë-shfrytëzimit dhe presioni të madh nga kolegët”, tha Uhlová për BIRN. “Qëllimi i të gjithëve është të jenë të shpejtë, përndryshe ata ju quajnë dembel. Askush nuk ka kohë për të vënë në dyshim sistemin.”

Punëtorët kanë ofruar histori të ngjashme nga kompania çeke e shpërndarjes së ushqimeve Rohlík.cz.

Disa kanë përshkruar bordet drejtuese që tregojnë se sa artikuj kanë marrë punëtorë individualë, ku fituesve u ofrohen shpërblime financiare dhe humbësve kërcënohen me pushim nga puna.

“Ishte e vështirë të qëndroje me shifra mbi mesataren, edhe nëse je i ri dhe në formë”, tha një ish-punonjës i Rohlík.cz i cili foli në kushte anonimiteti. “Gjatë një turni prej gjashtë orësh, bëja deri në 25,000 hapa.”

Rohlik.cz i tha BIRN se ishte e pamundur që një punëtor të ecë kaq shumë, duke pasur parasysh madhësinë e magazinave të tyre. Ai tha se punëtorët nënkontraktohen përmes agjencive të jashtme, të cilat përcaktojnë normat e produktivitetit dhe i vlerësojnë ato.

Me shtimin e blerjeve në internet dhe shpërndarjen e kryer të nesërmen e porosisë që po bëhet diçka thuajse standarde, “menaxhimi i zgjuar” i magazinave duket i pashmangshëm. Por sindikatat thonë se pajisjet inteligjente mund të përdoren në mënyra më të favorshme për punonjësit.

“Ne nuk jemi domosdoshmërish kundër menaxhimit algoritmik, nëse ai bëhet me transparencë dhe në kontekstin e negociatave kolektive”, tha një zëdhënës i UNI Global Union, një sindikatë transnacionale që përfaqëson punonjësit në tregti dhe logjistikë.

“Unë besoj se ky është një problem i madh te Amazon, ku punëtorët nuk kanë të drejtë të flasin për algoritmet, dhe punonjësit raportojnë se menaxhimi sipas algoritmit ka pasoja që të ndryshojnë jetën, duke përfshirë stresin dhe normat brutale të prodhimit.”

Edhe punonjësit më të motivuar mund ta kenë të vështirë të mbajnë ritmin.

“Unë di gjithçka që mund të di për këtë pozicion”, tha David Kopp, i cili si Máková është një banor i Mostit që ngarkon kamionë për Amazon. Por me rritjen e kërkesës gjatë pandemisë së COVID-19, Kopp tha se ai nuk kishte qenë në gjendte të merrte mjaftueshëm lëngje, të bënte pushime për të shkuar në tualet, gjë e cila ai tha se e kishte bërë të kishte ngërçe të forta, një formë formë artriti inflamator.

“Shpresoja të mund të qëndroja në Amazon deri kur të dilja në pension”, tha Kopp. “Por me këto ndikime që kjo punë ka në shëndetin tim, dyshoj se kjo do të jetë e mundur.”/Reporter AL