Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Emergjencë po trajtohen disa pacientë për shkak të lëndimeve në aksidente, mjeku kujdestar tregon gjendjen e tyre

Gjatë ditës së sotme vetëm në regjionin e Prishtinës brenda një periudhe të shkurtë kohore janë shkaktuar disa aksidente ndërsa personat që kanë marrë lëndime janë dërguar në tretman mjekësor edhe në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me mjekun kujdestar, Avdush Bajgora, i cili tha se nuk kanë një numër të saktë të pacientëve që janë pranuar gjatë ditës së sotme në Emergjencë.

“Të dhënat e detajuara nuk mund të jap për shkak se duhet të presim deri në përfundim të orarit, por ka pacientë që janë pranuar gjatë ditës së sotme në QKUK”, tha Bajgora.

I pyetur në lidhje me pacientët që kanë kërkuar tretman mjekësore nga aksidentet ai tha se ka të tillë dhe kanë lëndime por deri më tash asnjë nga ta nuk është në rrezik për jetë.

“Kemi pranuar edhe pacientë që kanë marrë lëndime në aksidente, ka lëndime të lehta por edhe serioze por nuk kemi ndonjë që është në rrezik për jetën”, tha tutje Bajgora.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi se pasditen e sotme, tre aksidente kanë ndodhur në regjionin e Prishtinës.

Nga këto aksidente të raportuar kanë qenë të përfshira shtatë automjete në raste të ndara me gjithsej tetë persona të lënduar.

Në mesditë në rrugën Pejë -Prishtinë afër fshatit Bresje, është shkaktuar një vetë aksident me dëme materiale dhe lëndime trupore, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Raportohet se një person ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Rreth 13:10 Policia ka pranuar një informatë për një aksident trafiku me persona të lënduar qe është shkaktuar ne fshatin Lluzhan- Podujevë.

Të përfshira ne këtë aksident ishin katër automjete, përderisa raportohet se tretman mjekësor kane kërkuar katër persona të lënduar.

Rreth orës 13:50, po ashtu është raportuar për një aksident trafiku në Vranidoll, ku janë përfshirë dy automjete dhe tre persona kanë pësuar lëndime trupore.

Njësitet kompetente policore iu janë përgjigjur rasteve për hetimin e shkaktarëve të këtyre aksidenteve dhe janë ndërmarrë veprime të tjera të nevojshme.

Policia ka apeluar vozitësit që të jenë më të kujdesshëm në trafik dhe të respektojnë shenjat e trafikut.