Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Në emër të zyrtarëve policorë shpërndahen informacione të rreme, reagon Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se disa informacione dhe dokumente të cilat po shpërndahen në emaile të ndryshme se kinse janë lëshuar nga zyrtarë brenda Policisë, janë false.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar, të enjten më 22.08.2024.

Siç thuhet në sqarimin e Policisë, disa informacione janë dërguar gjoja në emrin e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe janë emëruar si “Kujdes: urdhri zyrtare gjykatare”, kinse të lëshuara Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që gjoja janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate.

“[Ato] nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në reagimin e Policisë.

Policia njofton se ka filluar hetimet në koordinim me organet e drejtësisë, për verifikimin dhe zbulimin e kryerësve të veprës penale.

Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që mund të pranojë ndonjë email me shkrime të tilla, ta adresojë rastin në polici.

“Policia e Kosovës njofton dhe njëherë fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve, mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”- thuhet në njoftimin e Policisë.