Foto: Marco Rubio / facebook

Në emër të SHBA-së, sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit uron Kosovën

Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio ka uruar Kosovën për 17 vjetorin e Pavarësisë.

Rubio në urim ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë.

“Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës”- shkruan në urimin e publikuar nga Departamenti i Shtetit.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rubio ka shprehur urimet e tij me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – “një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës”.

“Ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes njerëzve tanë”- shtoi ai.

Më 16.02.2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi” – thuhet në mesazhin e presidentit Trump.

Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës. 

Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit. Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. 

Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.

Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.

Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës. 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.