Foto: Ilustrim

Në dy operacione të ndara, policia arreston 5 persona të dyshuar për drogë

Policia e Kosovës njofton se në dy operacione të ndara ka arrestuar pesë persona, një shtetas të Shqipërisë për kultivim të bimëve narkotike dhe katër të tjerë për falsifikim të dokumenteve.

Sipas policisë, në operacionin e parë , është kryer bastisje e një shtëpie në fshatin Gllogovicë të Prishtinës, në të cilën ishte duke banuar një i dyshuar shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se i njëjti kultivon dhe përpunon bimë narkotike të kanabis stativa.

“Gjatë kontrollit në shtëpi dhe në objekte për rreth, nuk është gjetur asgjë e dyshuar, ndërsa në një pyll afër një përroi është gjetur një plantacion i mbjellë dhe i punuar me kanabis stativa, me (31) bimë të kultivuara kanabis stativa, me gjatësi deri në 2.40 metra, disa mjete për ujitje dhe një pompë dore për spërkatje të bimëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia sqaron se me vendim të prokurorisë kompetente i dyshuari është dërguar në mbajtje, mbi dyshimin për përfshirje në veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Ndërsa operacioni i dytë është realizuar në Podujevë dhe  ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar.

“Personat e dyshuar janë arrestuar lidhur me dyshimet se të njëjtit duke vepruar në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente zyrtare dhe përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara në bashkëkryerje me të dyshuarin person zyrtar (noter), dyshohet se kanë tjetërsuar një parcelë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim policia sqaron se ndaj të dyshuarve është lëshuar aktvendim për ndalim prej (48) orësh lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe në bashkëkryerje veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.