Shaban Shabani. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Dragash u nënshkruan 71 kontrata pa procedurë të hapur të prokurimit

Hiç më pak se 71 kontrata, Komuna e Dragashit e udhëhequr nga Shaban Shabani, i nënshkroi duke i ikur procedurës së hapur të prokurimit.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2020, evidenton se vlera e përgjithshme e kontratave të nënshkruara kalon shifrën e 62 mijë eurove.

Auditori i përgjithshëm gjeti se edhe në vitin e kaluar komuna e Dragashit i iku transparencës dhe konkurrencës, duke nënshkruar 71 kontrata pa procedurë të hapur.

“Nga raporti i kontratave të nënshkruara për vitin 2020, komuna ngjashëm si në vitin e kaluar kishte nënshkruar 71 kontrata përmes procedurës me vlerë minimale me vlerë 62,508€. Gjatë auditimit kemi vërejtur që kishte kontrata për furnizime dhe shërbime të natyrës së njëjtë duke anashkaluar procedurat e hapura të tenderimit.” thuhet në raportin e auditorit.

Sipas Auditorit, shkaqet e realizimit të procedurave të ndara të prokurimit është mungesë e komunikimit të njësive kërkuese dhe prokurimit gjatë përgatitjes së planit për prokurim.

Praktikat e tilla ndikojnë në shtimin e rrezikut të mos arritjes së vlerës për para dhe dëmtojnë transparencën, eliminojnë konkurrencën dhe vejnë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve dhe produkteve të pranuara.

Prandaj Auditori, kreut të kësaj komune i ka rekomanduar që të sigurohet që bëhet një planifikim i hollësishëm dhe njësitë kërkuese duhet të vlerësojnë në mënyrë të drejtë kërkesat për prokurim.

Auditori e ka bazuar këtë në pikën 54.1 të Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik i cili përcakton që Autoriteti kontraktues mund ta përdor procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike, vlera e përllogaritur e të cilës është më pak se 1,000€.

Me dhënien e porosive për blerje në lidhje me prokurimin me vlerë minimale, Autoriteti kontraktues do të sigurojë një konkurrim efektiv, transparencë dhe efektivitet të lartë të përdorimit të fondeve publike.

Tutje thuhet se kontratat me vlera minimale që zhvillohen në institucionet arsimore, person i autorizuar të nënshkruaj një kontratë është Drejtori i Institucionit Arsimor.

Gjithashtu raporti sqaron se çfarë kërkohet edhe në pikën 54.2 të këtij udhëzuesi.

“Në llogaritjen e vlerës së kontratës për përdorimin e procedurës së vlerës minimale, autoriteti kontraktues do t`i marrë parasysh vetëm një grup të mallrave, shërbimeve apo punëve të ngjashme, të cilat zakonisht prokurohen së bashku dhe të cilat nuk duhet të ndahen me qëllim të përdorimit të një procedure të tillë”, sqaron auditori.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kreu i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës së Dragashit.