Në Doganë, Kadri Veseli vazhdon me deklarata kundër nepotizmit dhe krimit të organizuar

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Kadri Veseli, po vazhdon me fushatën e tij me deklarime kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Veseli gjatë një vizite në Doganën e Kosovës, ka thënë se shteti duhet të forcohet dhe të luftohet nepotizmi, korrupsioni e krimi i organizuar.

Veseli ka lëvduar ministrin e Financave, Bedri Hamza, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas Veselit, ministri i Financave ka bërë një punë të madhe duke i shtuar 700 milionë euro buxhetit të Kosovës për dy vjet.

Ndërsa institucionin e Doganës së Kosovës, Veseli e ka konsideruar si më vitalin dhe më profesionalin në aspektin financiar.

“Jemi në institucionin më vital dhe është ndër institucionet më profesional në aspektin financiar. Lufta kundër nepotizmit dhe krimit të organizuar është jo vetëm e drejtë por edhe e nevojshme. 700 milionë euro rritje në dy vitet e fundit për buxhetin e Kosovës. Kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik, kemi rritur pagat, është rritur deficiti buxhetor 17.1 për qind nga ardhja e ministrit Hamza dhe me këto 700 milionë euro që janë kursyer ta forcojmë shtetin, të investojmë në polici edhe në doganë, të rrisim pagat në sektorin shëndetësor, t’i ndihmojmë edhe pensionistët. Kosova duhet të ketë njerëz të pakorruptuar që e mbrojnë ligjin dhe që kanë partneritet me të gjitha grupet e interesit”, ka deklaruar Veseli.