Dita Kombëtare e Boshnjakëve, Foto: ZKM

Në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve, përurohet Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren (FOTO)

Në shënim të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, kryeministri Albin Kurti së bashku me zv.kryeministren Emilija Rexhepi, morën pjesë në përurimin e Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në këtë ditë përkujtohet parlamenti i parë boshnjak i rrethuar në Sarajevë në vitin 1993.

“Është nder të jem sot me ju dhe të shënojmë siç na ka hije Ditën e Boshnjakëve”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Në njoftim thuhet se kryeministri vlerësoi kontributin e boshnjakëve në zhvillimin e Republikës së Kosovës, ndërsa tha se përfaqësuesit politikë të boshnjakëve sot janë pjesë përbërëse e qeverisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shoqërinë dhe interesat e vendit në tërësi.

Kryeministri po ashtu veçoi mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit për komunitetin boshnjak, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, që ka ndarë grante në mbështetje të projekteve për vendimmarrje për rini, aktivitete kulturore, promovim të trashëgimisë së artizanatave për gratë boshnjake, gazetarinë për komunitetin, emisione në radio dhe televizion për komunitetin si dhe Kongresin e intelektualëve boshnjakë të Kosovës. Po ashtu ai tha se nga 100 të rinj të pranuar në programin e Qeverisë për punë praktike 6 muajshe në institucione, 32 janë nga komuniteti boshnjak.

Derisa, zv.kryeministrja Rexhepi gjithashtu u shpreh e lumtur që së bashku me kryeministrin Kurti sot shënuan këtë festë kombëtare për boshnjakët duke përuruar Qendrën Kulturore në Prizren.

“Jam krenare që bashku me juve punuam që sot në Prizren boshnjakët të kenë vendtakimin e tyre, këndin e tyre për të rinjtë, OJQ-të, shoqëritë kulturore artistike, gratë, pensionistët, një vend ku ata mund të dëgjojnë muzikë në gjuhën e tyre” – tha ajo.

Ajo shtoi se me këtë qendër sot po ruajnë dhe kultivojnë trashëgiminë kulturore së bashku me të gjitha komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM
Foto: ZKM