Në Ditën e Presidentit, Osmani nderon ish-presidentin Rugova

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, bashkë me ekipin e saj ka bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike” citohet të ketë thënë Osmani në komunikatën për media të Presidencës.

Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani pasdite do ta zhvillojë një vizitë në familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të komunës së Istogut. Rugova ka qenë themeluesi i partisë së parë politike në Kosovë -LDK-së. Ai ka qenë presidenti i parë i Kosovës.

Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 pas një sëmundje të rëndë.