Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në ditën e fundit si kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti rendit të arriturat

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në ditën e fundit në këtë detyrë ka renditur disa nga të arriturat gjatë dy mandateve sa ka udhëhequr me kryeqytetin.

Ahmeti ka thënë se sot Prishtina ka shkolla më të mira e ujë 24 orë duke shtuar se ka ringjallur komplet transportin publik.

Ai ka përmendur edhe dy kuzhinat popullore që shërbejnë shujta si dhe qendrën e parë  për autizëm dhe sindromën Down në Kosovë që janë bërë gjatë qeverisjes së tij.

“A do të thotë se këto mjaftojnë! Natyrisht se jo. Ka problem me ndërtim e planifikim, ka problem me qenë endacake e me trafik. Do të ketë problem në 2025 e 2029 sepse gjithmonë duhet të kërkojmë përmirësimin, edhe pse mundësitë financiare janë të vogla. Por me rëndësi është që sot jetohet një jetë shumë më e mire për shkak të përmirësimeve në tetë vitet e fundit në çdo fush. Tash duhet të ketë edhe më shumë përmirësime”, ka shkruar ai.

Në fund, Ahmeti ka uruar Përparim Ramën dhe i ka ofruar ndihmë për çdo kërkesë që ai mund të ketë si dhe bashkëpunëtorët e tij ndër vite duke përmendur edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Atij i dëshiroj të gjitha të mirat. I kam thënë se nuk do ti përzihem asnjëherë në punë por do ti përgjigjem për çdo kërkesë.  Sic ka thënë Ali Zatriqi me rastin e pensionimit nga Televizioni kur i është dhuruar një orë dore – unë që po dal po e di sa është sahati po ju që po metni”, tha Ahmeti në Facebook.