Foto: Facebook / Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj në Departamentin amerikan të Shtetit pritet nga Gabriel Escobar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është pritur sot në Deparamentin amerikan të Shtetit nga Ndihmës Asistenti i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, Gabriel Escobar.

Haradinajt ka njoftuar se në një takim të hapur dhe të sinqertë kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane tash e shumë dekada dhe inkurajova për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi, kanë ndodhur në partneritet të përbashkët. “Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët” – ka shtuar ai.

“Do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon” – ka shtuar Haradinaj.